Lajme

Kurti ia jep vetës meritat për liberalizimin e vizave


Albin Kurti dhe Besnik Bislimi

Një herë s’reagoi fare. Më pas vetëm shkurtimisht në Twitter dhe përfundimisht në llogarinë  e tij në Facebook ku i dha merita qeverisë së tij.

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, kriteret teknike të plotësuara prej kohësh nuk do kryenin punë për liberalizim të vizave – vendim që u mor sot nga Këshilli i Ministrave – po të mos ishte qeverisja e tij që “ndryshoi imazhin për Kosovën”.

“Kriteret teknike vërtetë ishin plotësuar tash e një kohë të gjatë, për çka i jemi mirënjohës administratës shtetërore. Por ishin kërkesat për sundim të ligjit, luftim të krimit dhe korrupsionit dhe respektim të institucioneve të pavarura që nuk përmbusheshin dot”, shkroi ai.

Për Kurtin, “pengesë ishte edhe imazhi jo i mirë i vendit, për shkak të aferave korruptive, kulturës së mosndëshkueshmërisë dhe migrimit masiv e ilegal drejt vendeve të zonës Schengen”.

“Renditja në vend të parë për sundim të ligjit në Ballkanin Perëndimor për dy vite radhazi sipas World Justice Project; përmirësimi për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International; përmirësimi për 17 vende në indeksin e Reporterëve pa Kufij për lirinë e mediave”, ishin disa nga kriteret qe e ndryshuan imazhin e Kosovës, sipas kryeministrit.

Ambasadorët e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, këtë të mërkurë, kanë rënë dakord për mandatin negociues të Këshillit për rregullacionin për udhëtimin pa viza për qytetarët që mbajnë pasaporta të Kosovës.

Në bazë të këtij mandati, presidenca e Këshillit do të fillojë negociatat me Parlamentin Evropian.

Për këtë hap të rëndësishëm në drejtim të liberalizimit të vizave për Kosovën, ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi.

“Është një njohje e përpjekjeve për të forcuar kontrollet kufitare, menaxhimin e migracionit dhe sigurinë. Faleminderit për presidencën çeke të BE-së për angazhimin e tyre ndaj procesit”, ka shkruar Bislimi në rrjetin e tij social në Twitter.

Ekskluzive: Është arritur pajtim për liberalizimin e vizave për Kosovën – “punë e kryer”

Ekskluzive: Është arritur pajtim për liberalizimin e vizave për Kosovën – “punë e kryer”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore