Lajme

Kurti i premton komunave rritje të mbështetjes


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se me reformat e përgjithshme janë duke punuar edhe në drejtim të mbështetjes së komunave dhe shtimit të shërbimeve publike si dhe rritjes së cilësisë së tyre.

Ai këtë deklaratë e bëri të premten, ku bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, morën pjesë në shënimin e 21- vjetorit të themelimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës.

“Përgjatë këtyre viteve kemi rritur fondin e dedikuar për performancë të komunave si dhe kemi fuqizuar kapacitetet administrative për menaxhimin e saj. Vetëm këtë vit kemi ndarë 7.8 milionë euro bashkëfinancim me donatorë për skemën e këtij granti, ku janë shpërblyer 14 komuna për punën më të mirë dhe janë financuar 25 projekte të tyre”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Sipas njoftimit të zyrës së Kryeministrit edhe buxheti komunal është rritur për komunat.

“Si rritje rekord të të hyrave buxhetore, Granti i Përgjithshëm për vitin 2023 është miratuar nga Komisioni i Granteve me një rritje prej 32%. Pra, kemi ndarë rreth 255.2 milionë euro më shumë buxhet për nivelin komunal”.

Kryeministri konsideron se për përparimin më të shpejtë e me cilësi më të madhe të komunave kanë rëndësi që të gjithë, secila kategori shoqërore, por ai veçoi mërgatën, gratë dhe rininë.

”Këto janë tri kategoritë kryesore shoqërore që i bëjnë reformat e thella aq shumë të domosdoshme në vendin tonë”, tha Kurti.

Ndërkaq, potencoi se si qeveri do të dëgjojnë me vëmendje nevojat, kërkesat, por edhe idetë e tyre.

“Komuna është e përbashkët, andaj siç jemi bashkë në këtë 21- vjetor të Asociacionit të Komunave të Kosovës, le të jemi për çdo ditë në shumë e shumë vite në vijim”, u shpreh ai në përmbyllje të fjalës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore