Kurti i çuditur në konferencën e tij të çuditshme

SHFLETO

Albin Kurti

 

Dreni Himbeqa
15.06.2023 12:08
Loading Icons...

Një ditë pasi tre policë kufitarë u kidnapuan nga shteti i Serbisë, Qeveria e Kosovës mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar për situatën e sigurisë në Veri të Kosovës. Meqë mbledhja ishte me dyer të mbyllura kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, më pastaj në një konferencë për media bënë të ditur se Kosova dhanë versionin e tyre për ngjarjen e një dite më parë.

Ajo çka e karakterizojë konferencën 1 orësh të të parit të Qeverisë dhe ministrit të brendshëm ishin deklarimet mjaft kundërthënëse dhe absurde të këtij të parit, i cili në njërën anë fajësonte Misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, për mungesë reagimi për atë se çfarë ka ndodhur të mërkurën me policët e në anën tjetër thoshte se nuk ka pse të njoftojë misionin e Aleancës Veri – Atlantike e as bashkësinë ndërkombëtare për operacionet që ndërmerr Policia e Kosovës brenda territorit të Kosovës – ani pse një gjë të tillë në mënyrë eksplicite kishte kërkuar shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell – me arsyetimin se Kosova po zbaton Kushtetutën dhe Ligjet që derivojnë nga ajo.

Rrëmbimin e Policëve kryeministri Kurti e cilësoi si agresion ndaj shtetit, hakmarrje dhe tentim për eskalim të situatës, prandaj njoftoi se Qeveria e Kosovës ka shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vijnë nga Serbisë, sidomos ato transportuese.

“Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës që po lufton krimin dhe intencë për destabilizim në kohën kur ne tashmë kemi propozuar planin 5-pikësh për de-eskalim dhe për normalizim”, ka pohuar fillimisht ai.

Ndërsa ka shpjeguar se si është zhvilluar aksioni i rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë, Kurti, duke u thirrur në informatat e institucioneve të sigurisë, ka deklaruar se kidnapimi i policëve ka ndodhur thellë brenda territorit të Kosovës duke mohuar kështu versionin zyrtar të Beogradit se arrestimi i policëve ka ndodhur brenda kufijve të shtetit serb.

Argumentimin e tij Kurti e ka përforcuar me detaje që janë gjetur në vendin ku ka ndodhur rasti i kidnapimit.

“Në vendin e ngjarjes kanë qenë edhe KFOR-i ka qenë edhe Policia e Kosovës aty kanë gjetur gjurmët e çizmeve të huaja në drejtim të Serbisë, por janë gjetur edhe pranga lidhëse të plastikës, pra si është e mundur që ata pretendojnë që janë lidhur në Serbi kur lidhëset e tyre të plastikës si pranga janë pikërisht në këtë vend”, ka potencuar ai.

Ndërsa Kurti ka bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar të bëjë trysni mbi Beogradin zyrtar, ka thënë se ka mbetur i befasuar nga toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë.

Kurti i habitur ka mbetur edhe me faktin që KFOR-i ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për rastin e kidnapimit.

“Ajo çfarë mua vazhdon të më habisë është fakti që as të nesërmen, me këtë të vërtetë që ne po e shpalosim para juve, nuk del zyrtarisht KFOR-i. Cili është kuptimi që të nesërmen e një ngjarje e cila nuk ishte në mbrëmje por në mesditë, KFOR-i nuk del me një shpjegim zyrtar se ku është ky vend, ky vend qartazi është në Republikën e Kosovës”, ka theksuar Kurti.

Prandaj sipas tij heshtja e komunitetit ndërkombëtar në këtë moment nuk i kontribuon as de-eskalimit të situatës në Veri të Kosovës, as hetimit e as drejtësisë.

Kurti, në po këtë konferencë për media, ka bërë të ditur se në ditën kur ka ndodhur arrestimi i zyrtarëve policorë ka realizuar një bisedë telefonike me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esocbar dhe ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pas kidnapimit të tre policëve për të marrë informata shtesë për ngjarjen, por sipas tij, të njëjtit nuk kanë shpërndarë informacionet e tyre për rastin.

“Me Escobar e Hovenier kemi diskutuar për situatën e sigurisë dhe unë ua kam thënë që pres që KFOR-i të më sjellë informacion mua në formë të vlerësimit të konkluzionit para mbledhjes së Këshillit të Sigurisë e cila u mbajt sot në shtatë të mëngjesit, mirëpo asnjë informacion, pra në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë sot ne kemi shkuar vetëm me informacionet e Republikës së Kosovës të cilët janë të qarta dhe të vërteta”.

Absurdi gjithë, në këtë mes, ishte deklarata e Kurtit ku u pyet për letrën e shefit të diplomacisë së BE-së, i cili kërkoi qartazi që vendimet e Qeverisë në Veri të Kosovës të jenë të koordinuara paraprakisht me KFOR-in dhe EULEX-in.

Kurti u arsyetua duke thënë se operacionet policore nuk janë punë as e tij e as e zyrtarëve evropianë dhe se për të arrestuar një kriminel nuk ka kuptim që të ketë një instancë sipërore, meqë Kosova nuk është një shtet monarkik e as feudal, por një Republikë Demokratike.

“As unë nuk e di kur arrestohet një kriminel, sepse kjo është çështje e policisë hetuese, njësisë që bën arrestimet, prokurorisë. Ka arrestime që unë i shoh saktësisht në të njëjtën kohë si ju, sepse jemi republikë demokratike. I tillë ka qenë arrestimi i Llunës. Mirëpo, veprimet operacionale, kur duhet të arrestohet dikush nuk janë punë e imja, besoj e asnjë zyrtari evropian”, deklaroi Kurti duke treguar kundërthëniet brenda të njëjtave fjali.

Kryeministri Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bënë të ditur gjithashtu se nuk janë në dijeni se ku gjenden tre policët e kidnapuar nga policia e Serbisë, megjithatë ata nënvizuan faktin se autoritetet kosovare janë në kontakt me udhëheqësin e Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jasharin për policët.

“Me Jetish Jasharin që është udhëheqës i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd jemi në kontakt për të bërë vizita në burgjet ku po mbahen policët tanë”, ka thënë Kurti.

Kurti në konferencë për media ka mohuar në mënyrë kategorike edhe mundësinë e shkëmbimit të tre zyrtarëve policorë të kidnapuar nga Serbia me kriminelin e arrestuar në Kosovë, dy ditë më parë.

Sipas tij Kosova nuk është vendi ku sundon Ligji dhe se Qeveria e Kosovës nuk bënë pazare.

“Arrestimi i Millun Millenkoviç’it i ka hedhur në panik të gjithë kriminelët, ata nuk kanë mundur të imagjinojnë që dikush si Lune arrestohet, është paniku i madh i kriminelëve që është shndërruar në hakmarrje të Serbisë, nuk krahasohen këto dy raste dhe te ne ka sundim të ligjiz, ne nuk bëjmë pazare, kemi principe dhe vlera. Unë nuk di që Beogradi ka kërkuar ndonjë lloj shkëmbimi, unë nuk po e kuptojë pse ju keni nevojë ta thoni, shkëmbimin natyrisht që do ta kërkonte Beogradi. Për çfarë shkëmbimi jeni duke folur kush e ka kërkuar atë, ne jemi vend demokratik dhe i lirë”.

Tre policë të Kosovës janë kidnapuar të mërkurën në mesditë nga forca serbe, brenda territorit të Kosovës, në një nga rrugët e veriut të vendit, që sipas Policisë, shfrytëzohej si rrugë ilegale nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë nga Serbia.

Përmes një komunikate për media, Policia e Kosovës, kidnapimi i tyre është bërë në një pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare.

Sipas njoftimit, tre policët që ishin në detyrë në këtë pikë statike, kishin njoftuar bazën se kanë vërejtur persona të maskuar dhe armatosur. Kur në vendin e ngjarjes, sipas njoftimit, kanë arritur njësitet shtesë të Policisë, aty është gjetur vetura zyrtare, por jo edhe policët.