Lajme

Kurti: Gjendja me pandeminë është rënduar


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë për masat e reja antiCOVID-19, ka thënë se po kujdesen për shëndetin e qytetarëve dhe kapacitetet e sistemit shëndetësor në Kosovë, sepse gjendja me pandeminë është rënduar.

“Neve po na duhet të kujdesemi si për shëndetin e popullsisë, po ashtu edhe për kapacitetet e shëndetësisë. Të gjithë i dimë kushtet në spitalet tona. Nga koronavirusi humbëm më të dashurit tonë, 3002 qytetarë të këtij vendi, pardje është shënuar viktima e 3000-të, ju shpreh ngushëllimë miqve dhe familjarëve tanë”.

Ai ka thënë se respektimi i masave është arma e vetme kundër virusit, ndërsa ka bërë thirrje për vaksinimin me dozën e tretë.

“Përballë kësaj gjendje, qëllimi kryesor është të shpëtojmë jetë. Ne duhet të përkujdesemi ta izolojmë këtë virus që ne të mos izolohemi nga virusi. Zbatimi i masave të IKSHPK-së janë arma e vetme ndaj këtij virusi”, ka thënë ai.

“Vlerësimi shkencor i paraprin çdo veprimi politik a qeveritar. U bëj thirrje të gjithëve të vaksinoheni, t’i ftoni të tjerët të vaksinoheni. Ta marrim dozën e tretë përforcuese. Ta ruajmë shëndetin tonë dhe të tjetrit, e të secilit.”, ka thënë Kurti.

 

Personelit shëndetësorë u vazhdohen shtesat prej 10 për qind

Qeveria e Kosovës ka aprovuar gjithashtu propozim-vendimin për pagesën shtesë prej 10% të pagës bazë për punonjësit shëndetësor të sektorit publik.

Kryeministri Kurti deklaroi se këto shtesa do të jepen për periudhën janar-qershor 2022 dhe se është vendim në kuadër të mbështetjes së tyre në kuadër të masës 4.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Kurse ministri i Financave, Hekuran Murati në fjalën e tij tha se këto mjete financiare do të jepen për këta muaj, me mundësi vazhdimi deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave.

“Ky vendim bën vazhdimin e shtesës që kemi miratuar në vitin e kaluar në raport me personelin shëndetësor dhe në kuadër të mbështetjes për menaxhimin e  pandemisë. Kësaj radhe duhet të vazhdohet sepse ka ndërruar vit fiskal dhe tani jemi në një vit fiskal të ri”.

“Ky propozim-vendim parasheh ndarjen e mjeteve për të mbuluar periudhën e parë gjashtë mujore dhe shtesa do të aplikohet deri në këtë periudhë ose deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave”, ka thënë Murati.

Kosova e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit

Për kryeministrin Kurti, përparimi i Kosovës në luftën kundër korrupsionit, sipas indeksit të perceptimit të publikuar nga organizata “Transparency International”, do të forcojë besimin e investitorëve të jashtëm që të investojnë në Kosovë pa frikë nga shantazhi e haraçi i së kaluarës.

Në mbledhjen e Qeverisë ai ka thënë se ngritja për 17 vende në këtë indeks të perceptimit është lajm shumë i mirë për vendin.

“Kjo tregon se përkushtimi jonë në luftën kundër korrupsionit institucional dhe krimit të organizuar ka dhënë rezultatet e para”, ka thënë Kurti.

Tutje kryeministri ka shprehur besimin se përparimi do të reflektojë në proceset dhe vendimet e Brukselit, duke shtuar se Kosova ka ende punë për të bërë në këtë drejtim.

Kurti ka arsyetuar edhe masat e reja antiCOVID-19, duke thënë se qëllimi kryesor është të shpëtohen jetët duke ditur se tashmë dihet gjendja e spitaleve në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore