Kurti ftohet të vizitojë zyrtarisht Estoninë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas
Xhezair Dashi
20.02.2022 15:02Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pjesmarrjen e tij në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, ka takuar edhe kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, nga e cila edhe morri ftesë zyrtare për të vizituar Estoninë.
Zyra e Kryeministrit lajmëroi se Kurti dhe Kallas diskutuan për një shumësi temashm dhe bashkëpunimin mes Kosovës dhe Estonisë.
“Biseduan për marrëdhëniet e mira në mes dy vendeve, për arritjet dhe sfidat e qeverive respektive gjatë vitit të kaluar, për menaxhimin e pandemisë, ringjalljen e ekonomisë dhe ballafaqimin me krizën globale energjetike, si dhe për situatën në Ukrainë”, shkruan në deklaratë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjithashtu e njoftoi homologen e tij për “punën e mirë të qeverisë” që udhëheq.
“Ndërkaq, qeverisja e mira dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit është pasqyruar edhe në raporte ndërkombëtare, sikurse ai i Transparency International, përkatësisht në indeksin e perceptimit të korrupsionit, në të cilin Kosova vitin e kaluar ka shënuar përmirësim rekord vjetor për 17 vende”.
Kryeministrja e Estonisë, Kallas e falënderoi kryeministrin Kurti dhe Republikën e Kosovës për marrëdhëniet e mira bilaterale. Për të diskutuar më gjerësisht mbi format e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, kryeministrja Kallas e ftoi kryeministrin Kurti për vizitë zyrtare në Estoni, përfundon njoftimi.