Lajme

Kurti e kundërshton qëndrimin e BE-së të dhënë nga Lajçak: Vetëmenaxhimi dhe Asociacioni s’janë e njëjta gjë


Ilustrim/Albanian Post

Derisa kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhanë dakordimin e tyre për Aneksin zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit, më 18 mars, në Ohër, mbeten ende mosmarrëveshjet dhe qartësia mbi formën që do të marrin disa dispozita.

Çështja më e diskutuar është neni shtatë i Planit Evropian. Kosovës i kërkohet që të fillojë menjëherë negociatat përbrenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE, rreth krijimit të kushteve [arrangements] dhe garancive për të siguruar një nivel të përshtatshëm [appropriate] të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

Ndonëse përfaqësuesi special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në intervistën e tij të fundit deklaroi se “vetëmenaxhimi” për komunitetin serb dhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe janë e njëjta gjë, kryeministri Kurti tha se janë dy gjëra të ndryshme.

“Neni shtatë nuk përfshin zotime të reja për Kosovën. Neni shtatë flet për nevojën e zbatimit të asaj për të cilën Kosova dhe Serbia veçse janë pajtuar. Kjo nënkupton marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, që flasin që themelimin e një lloj asociacioni të komunave me shumicë serbe”, tha Lajçak.

Përkundër kësaj deklarate të diplomatit sllovak, kreu i ekzekutivit kosovar ka një shpjegim tjetër për atë çfarë është arritur. Në fakt, ai e ka identifikuar veten mbi bazën e kundërshtimit të formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që prej kur u arrit Marrëveshja e Brukselit në vitin 2013.

“Në nenin shtatë të Marrëveshjes Bazë thuhet një nivel adekuat i vetëmenaxhimit të komunitetit serb. Thuhet komuniteti serb, nuk thuhet komunave. Komuniteti nuk është kategori territoriale. Komunat janë njësi territoriale dhe administrative. Nuk është e njëjta gjë”, theksoi kreu i ekzekutivit.

Albin Kurti, Miroslav Lajcak, Josep Borrell dhe Aleksander Vucic

Megjithëse këtë fjali e vazhdoi duke pohuar që “s’janë krejtësisht të ndryshme e të palidhura, po nuk janë e njëjta gjë”, duke e ditur se nëse “vetëmenaxhimi” zbatohet sipas marrëveshjeve të mëparshme, i bie që të zbatohet edhe sipas marrëveshjes së Brukselit që përfshinte themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Unë e kam thënë në Kuvendin e Repbulikës kur kam raportuar, se nga pikëpamja ime e fuqishme jo thjesht politike, po juridike kur themi komuniteti serb, atëherë automatikisht shkojmë tek marrëveshja kornizë për mbrojtjen e pakicave sipas Këshillit të Evropës”.

“Kjo është platforma, ky është regjistri në të cilin kuptohet dhe angazhohemi, përfshirë edhe komunitetin serb. Ne nuk e mohojmë asnjëherë që janë bërë dy marrëveshje nga pararadhësit, por që të dy ato marrëveshje janë shumë të cënuara. Nuk bën të barazohet fjala komunitet me fjalën komunë, as me fjalën Asociacion”, shtoi Kurti.

Megjithatë, kur vjen puna te implementimi i marrëveshjes së dakorduar në Ohër, pas një dite të gjatë negociatash, dhe duke e parë edhe refuzimin e presidentit serb, kryesisht ndaj nenin katër, shefi i qeverisë ia lë të gjithë barrën BE-së, rrjedhimisht emisarit të BE-së.

“Bashkimi Evropian po thotë që është marrëveshje. Bashkimi Evropian është ai që duhet të garantojë zbatimin e marrëveshjes në terren. Është ndërmjetësi ai që imponon zbatimin, ose konstaton moszbatim ose shkelje dhe jep sanksionet përkatëse. Është ndërmjetësi që e ka fjalën për çfarëdo devijimi, deformimi, apo shkelje”, tha Kurti.

Ndryshe, përfaqësuesit e BE-së ia bashkëngjitën këtë letër Planit të dakorduar më herët, më 27 shkurt, dhe shpallën se tashmë kanë një dokument të dakorduar në tërësi. Ky dokument i dakorduar në tërësi, të hënën iu paraqit Këshillit Evropian dhe ata e mirëpritën.

BE-ja tash këtë e konsideron si dokument, të cilin e bën pjesë ligjore të marrëdhënieve kontraktuale me Serbinë në kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim në BE, gjegjësisht të marrëdhënieve të veta kontraktuale me Kosovën në aranzhimin special të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore