Lajme

Kurti: E kemi bezdi fusnotën, por është trashëgimi e qeverisjes së më hershme


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në raportin “Promovimi i demokracisë lokale”, që është publikuar të mërkurën nga Kongresi i Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës ka shprehur pakënaqësinë në referimin e Kosovës me fusnotë.

Kurti fusnotën e ka konsideruar si pengesë gjatë raportimeve në forume ndërkombëtare.

“Në forume ndërkombëtare e kemi bezdi fusnotën e cila është trashëgimi e qeverisjes së më hershme. Fusnota nuk paraqet realitetin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, po as marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Në raport është përdorur fusnota sa herë është përdorur termi Kosova. Ky është keqinterpretim dhe keqcitim që duhet përmirësuar”.

Ndërkaq, kreu qeveritar gjatë këtij raporti ka folur edhe për demokracinë lokale.

Ai tha se “komunat gëzojnë nivel të lartë te kompetencave vetanake dhe qeverisjes së mirë”.

Gjatë kohës kur Vetëvendosja ka qenë në opozitë Kurti kishte pasur kritika për fusnotën.

“Plani 14 pikësh për veriun që e paraqiti shkurtimisht visari as nuk mund ta zbatojë as nuk mund ta zbatojë kjo qeveri”.

“Sepse kjo qeveri është qeveri e improvizimeve dhe jo e planeve. E pranoi fusnotën që na e konteston shtetësinë dhe e hoqi fjalën republikë nga rrëfimi i shtetit”, kishte thënë Kurti.

Ndryshe, në takimin e katërt që u mbajt në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, kryeministri Kurti përfaqësoi Kosovën me fusnotë.

Më 2012 në Bruksel është arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin rajonal të Kosovës, ku kur përdoret emri i Kosovës vendoset edhe një fusnotë. Kjo fusnotë përdoret kryesisht nga shtetet që nuk e njohin Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore