Lajme

Kurti e Kamberi flasin për të drejtat e shqiptarëve në Serbi


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me deputetin shqiptar ne Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik dhe shefin e Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA” në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, me të cilin kane diskutuar për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.

Kështu ka njoftuar zyra për komunikim publik e kryeministrit, përmes një komunikate për media, ku thuhet se një ndër diskutimet e bëra ishte edhe çështja e dialogut Kosovë-Serbi.

“Në takim u diskutua për të drejtat që i kanë shqiptarët përmes Këshillit Nacional Shqiptar, si edhe rrudhjen e tyre nga një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, nga janari i vitit 2014. Kurti dhe Kamberi diskutuan edhe për takimin e 15 qershorit në Bruksel, për dialogun e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi statusin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”, thuhet në njoftim.

Temë e bisedës ishin edhe dy samitet e liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtura këtë muaj në Tiranë dhe në Vjenë.

Takimi me Kamberin është në vazhdën e takimeve që kryeministri Kurti mban me përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.

Ndërkaq, Kamberi dy javë më parë, ka deklaruar se ai e kundërshton ndryshimin e pjesshëm të Kushtetutës së Serbisë, gjë që ka ngritur debat midis Kamberit dhe Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç.

Duke besuar se akti duhet të ndryshohet në tërësinë e tij, Kamberi e ka theksuar si problematike preambulën e Kushtetutës, e cila “e përcakton Kosovën si pjesë të Serbisë”.

“Nuk ka dyshim që Kushtetuta duhet të ndryshohet, dhe se ka shumë argumente për ndryshimin e të gjithë Kushtetutës, dhe një nga ato thuhet se në nenin 1, Serbia përcaktohet si një shtet i popullit serb”, i cili, sipas mendimit të Kamberit, është problematik nga aspekti i pakicave.

Kamberi ka kritikuar qeverinë, duke thënë se në Serbi, qeveria “nuk ka qenë publike dhe transparente, e kufizuar ligjërisht, apo e përkushtuar ndaj lirisë dhe barazisë së qytetarëve për një kohë të gjatë”.

Po ashtu, ai shtoi se nëse reforma e gjyqësorit do të bëhej “me radhë” në 2009, kjo nuk duhet të ishte alibi për një ndryshim të pjesshëm të Kushtetutës.

“Grupi ynë parlamentar nuk do të marrë pjesë në ndryshimin e pjesshëm, sepse kjo po humbet kohë të çmuar dhe kjo është ajo që kemi më pak”, është shprehur Kamberi.

Në fjalimin e tij, gjatë debatit në parlament në agjendën e të cilit është Propozimi për ndryshimin e Kushtetutës, Kamberi ka thënë se pakicat në Serbi përbëjnë më shumë se 20 për qind të popullsisë dhe një përkufizim i tillë, “përhap besimin se anëtarët e komuniteteve me origjinë të ndryshme janë qytetarë të klasit të dytë”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore