Lajme

Kurti: Duhet të jemi bashkë jo vetëm në kremte


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij në seancën e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, ka thënë se “duhet të jemi bashkë jo vetëm në kremte”.

“Na duhet të jemi më shpesh bashkë, jo vetëm në kremte, jo vetëm ne politikanët. T’i pranojmë kritikat njëri-tjetrit. Pra, të punojmë së bashku”, tha Kurti.

“Duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar, por për të kontribuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura e ekonomia, nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku e vëmë të gjithë nga një gurë”, tha ai.

Për kryeqeveritarin kosovar, “ndarjet krahinore, bajraktarizmat, ishin pengesë e prapambeturi atëherë, janë pengesë e prapambeturi edhe sot”.

“Gëzuar festën e shenjtë për identitetin tonë kombëtar, gëzuar 28 nëntorin e Skënderbeut e Adem Jasharit”.

Kurti ka theksuar se “nesër do të shënojnë 110 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, derisa ka shtuar se “sot shënojnë 25 vjetorin e shpalljes publike të UÇK-së në Llaushë, kur në varrimin e mësuesit Halit Gecit të vrarë nga forcat serbe, Rexhep Selimi po e lexonte deklaratën, në dy krahët e tij kishte heroin Mujë Krasnqi dhe Daut Haradinajn”.

“Nderojmë të kaluarën që na përbën sot dhe ecin bashkë”.

Ai ka shtuar se Kosova i gëzohet sukseseve të Shqipërisë.

“Shqipëria ka bërë hapa të mëdha papara, është vend anëtar i NATO dhe vend konditat për në BE”.

Por, ai tha se është i sigurt që edhe Shqipëria gëzohet për sukseset e Kosovës.

Megjithatë, Kurti vuri në pah se dy vendet ballafaqohen edhe me probleme.

“Më i mprehti është ai i largimit të rinisë sonë, por sot nuk dëshiroj të flasë gjatë për halle e probleme. Por, dua t’ua dërgojë një mesazh të gjithë atyre që kanë marr udhën e gurbetit”.

“Kjo ditë është edhe e juaja, e më së shumti e juaja. Mërgimtarët janë mbështetja më e madhe për vendet tona”.

Ai ka potencuar se e di që “nuk kemi bërë mjaftueshëm që t’ua kthejmë besimin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore