Shqipëria

Kurti dhe Rama takohen ‘miqësisht e pa protokoll’ në Bruksel


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, janë takuar së bashku, gjatë vizitës të organizuar nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Ka qenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook, të mërkurën e 19 majit, ka bërë me dije se para darkës tradicionale në Bruksel “Me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, u takuam miqësisht e pa protokoll, për të diskutuar mbi nevojën dhe format e bashkëpunimit e bashkëveprimit në mes dy shteteve tona”.

Kurti e ka cilësuar vizitën në Bruksel si “një mundësi e mirë për të përfaqësuar Kosovën dhe qeverinë e re të saj reformiste të dalë nga fitorja plebishitare e 14 shkurtit”.

Sakaq, numri një i qeverisë së Kosovës, në postimin e tij, bën me dije se ka zhvilluar dhe një sërë takimesh të tjera, me: Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák, dhe Raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.

Në fokus, Kurti ka pasur dhe “rëndësinë që kanë për njëri-tjetrin Bashkimi Evropian (BE) dhe Ballkani Perëndimor, si dhe mundësitë për të rritur ndihmën, mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë pandemisë dhe pas saj”.

Liderët e Ballkanit Perëndimor, në Bruksel

Më herët, të martën e 18 majit, ishte bërë me dije që krerët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mblidheshin në Bruksel.

Ky takim ishte organizuar nga shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

“Ballkani Perëndimor është një çështje e madhe gjeopolitike për BE-në. Rajoni është pjesë e problemit, por edhe pjesë e zgjidhjes. Kjo është arsyeja pse ne duhet ta shohim atë nga një këndvështrim gjeopolitik dhe këtë do ta bëjmë në një darkë në Bruksel, në të cilën shpresoj se do të marrin pjesë të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor”, tha Borrell për agjencinë e lajmeve Deutsche Welle.

Josep Borrell gjithashtu konfirmoi se ofertat e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të bëhen bashkarisht.

“Ofertat e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE duhet të shqyrtohen së bashku”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore