Lajme

Kurti bën thirrje për më shumë ushtarë të NATO-s në Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje për një prani më të madhe të trupave të NATO-s në vendin e tij.

“Një rritje e konsiderueshme e ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në vendin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti për transmetuesin gjerman ‘Welt’.

Kreu i qeverisë shpjegoi se Kosova aktualisht po rrit shpenzimet e mbrojtjes dhe numrin e ushtarëve dhe rezervistëve të saj.

“Një rritje e numrit të ushtarëve në forcën paqeruajtëse të NATO-s KFOR, do të mbështeste përpjekjet tona të mbrojtjes”, shtoi ai.

Welt vëren se aktualisht janë rreth 3 mijë e 800 ushtarë të KFOR-it të dislokuar në Kosovë, rreth 70 prej të cilëve janë gjermanë.

“Ushtarët gjermanë janë sigurisht të mirëpritur në Kosovë”, tha Kurti.

Situata e sigurisë u përkeqësua të mërkurën e kaluar nga ana e autoriteteve serbe.

Në përgjigje të ngritjes së barrikadave të shumta rrugore në anën serbe të veriut të Kosovës, Prishtina zyrtare mbylli përkohësisht pikëkalimin më të rëndësishëm kufitar.

Forcat kosovare të sigurisë dhe ushtarët e KFOR-it ishin sulmuar disa herë me armë zjarri.

Pas thirrjeve të BE-së dhe SHBA-ve për de-përshkallëzim, presidenti serb Aleksandër Vuçiç shtyu të enjten zhvendosjen e barrikadave rrugore dhe situata u qetësua.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore