Kosova

Kurti arsyeton Latifin: Punon online nga SHBA-ja


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Më 16 nëntor, Rifat Latifi është emëruar ministër i Shëndetësisë në Kosovë.

Por, që nga marrja e mandatit si ministër në këtë institucion Latifi ka udhëtuar dy herë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se këto udhëtime bëhen për “çështje personale”.

Këshilltari i Latifit, Drin Podrimçaku, në një prononcim për media kishte konfirmuar udhëtimin e tij.

“Po ka udhëtuar dhe kthehet më 3 janar”, ka deklaruar ai.

Për këtë temë u pyet në konferencë për media, kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili ka thënë se Latifi gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështje të natyrës profesionale.

“Tash s’ka person që s’është online dhe ai i koordinon punët. Pas një karriere shumëvjeçare në SHBA, një çik si shpejtë i është dashur të përgatitet të vijë në Kosovë e direkt në pandemi. Prandaj nuk mund të them se është për qëllime personale, por për shkaqe të cilët kanë të bëjnë edhe me institucionet ku ka punuar ai atje”.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Kryeministri tutje rikujtoi punën e ministrit akutal, duke thënë se shkaku i kësaj janë disa çështje që kanë mbetur të papërfunduara.

“Meqenëse është person i cili ka shkruar 350 artikuj në revista shkencore dhe ka numër të pafundmë të studentëve që kanë magjistruar e doktoruar tek ai, janë disa çështje të vogla teknike që janë të natyrës profesionale, por ai më ka siguruar se duke i ndarë punët me kohë në ministri e duke qenë vazhdimisht online nuk do ta cenojë për asnjë moment bashkërendimin dhe funksionimin e MSH-së në këtë kohë pandemie”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, më 1 tetor, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia njoftoi për dorëheqjen e tij nga ky post, për t’u fokusuar në garën për Prishtinën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore