Lajme

Kurti: Agjencinë e Akreditimi synojmë ta bëjmë institucion të pavarur


Albin Kurti në Agjencinë e Kosovës për Akreditim

“Agjencinë e Kosovës për Akreditimit synojmë ta bëjmë institucion të pavarur në ekzekutimin e politikave arsimore”.

Këtë e ka bërë të ditur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili gjatë ditës së martë të 25 janarit ka vizituar Agjencinë në fjalë ku nga këtu ka deklaruar se qeveritë e kaluara kanë interferuar politikisht në këtë institucion.

“Një sistem, ku interferimet politike, që nga rekrutimet e stafit në të gjitha nivelet, e deri tek ushtrimi i funksioneve të institucioneve të pavarura ekzekutive, siç ka qenë rasti me Agjencinë e Akreditimit, kanë qenë praktikë e stabilizuar, ka thënë Kryeministri Kurti.

Këto interferime, siç tha ai, e kanë pamundësuar krijimin e një sistemi të qëndrueshëm arsimor, i cili do të mundësonte orientimin e qytetarëve dhe rinisë drejt karrierave të qëndrueshme profesionale.

Por, sipas Kryeqeveritarit Kurti, me pavarësimin e kësaj agjencie, ajo do të funksionojë mbi bazat e profesionalizmit dhe ekspertizës, si dhe parimeve të barazisë, etikës e integritetit, e të gjithpërfshirjes. E, për punën e saj, si referencë, do t’i ketë standardet evropiane dhe udhëzuesit për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë.

Kryeministri Kurti, rikonfirmoi mbështetjen e plotë për Agjencinë në përpjekjet e saj për t’i adresuar dhe për t’i përmbushur rekomandimet dhe shprehu synimin e patjetërsueshëm të qeverisjes, rikthimin në ENQA dhe EQAR.

“Kemi arritje në të bërit e arsimit të lartë më gjithëpërfshirës dhe më të qasshëm, duke hequr tarifat semestrale, por kemi ende rrugë për të bërë, që këtë nivel të arsimit ta bëjmë më atraktiv dhe më konkurrent ndërkombëtarisht”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore