Shqipëria

Kur të vërtetën ta zbulon tjetërkush…


Si të përballeni me të vërtetën?

Nga ta dini që ai ose ajo nuk po ju gënjen?

Për të gjitha këto pyetje ju vjen në ndihmë një detektiv/e. Kërkesa për punën e tyre, siç e pohojnë edhe vetë ata, është rritur.

Detektivja Shkenda Lili për Albanian Post (AP) thotë se “roli i detektives vitet e fundit po shihet si profesion i mirëfilltë”.

Në vijim, ajo zbulon se, “gjatë punës sime, po has me shumë kërkesa”.

Roli i detektivit, sipas saj, është shumë i rëndësishëm, për të zbuluar një të vërtetë, por mbi të gjitha për t’u përballur me një të vërtetë.

E pyetur se nga vijnë kërkesat më shumë, nga burrat apo gratë, ajo tregon se dominojnë më shumë këto të fundit.

A është e lehtë të ushtrosh profesionin e detektives?

Lili thotë se “ne zgjedhim që investigimi të bëhet gjithmonë në ambiente publike, pa cenuar privatësinë e askujt”, ndonëse kur pasqyrohet e vërteta, reagimet e klientëve të saj janë të ndryshme.

“Shumica e çifteve që kam pasur nën shqyrtim nuk kanë shkuar në divorc”, shprehet detektivja.

Çfarë i shtyn njerëzit të punësojnë një detektive?

E.G. (nuk pranon të japë emrin e saj të plotë) rrëfen për Albanian Post se punësoi një detektive për të “ndjekur” partnerin e saj.

“Dashuria e madhe dhe xhelozia që ndieja për bashkëshortin tim, më bëri që të punësoja një detektive private. Kisha nevojë për siguri, për të kuptuar që ai më donte, po aq sa unë”.

Sipas detektives, e gjithë kjo ka bërë që miliona individë në botë, por vitet e fundit edhe në Shqipëri, të punësojnë detektive private, në mënyrë që të “përgjojnë” partnerët e tyre.

Pse tradhtojnë njerëzit?

Psikologia, Elona Kormaku shprehet për Albanian Post se, “fenomeni i tradhtisë, është ndër ato më të komplikuarit. Mijëra vjet njerëzit janë përpjekur të gjejnë shkaqet nga vjen ajo, si dhe të heqin dorë nga dyshimet mbi partnerin e tyre. Cilado qofshin arsyet, efektet e tradhtisë janë jo të shëndetshme për njeriun”.

Ndërsa ndalet tek arsyet se përse njerëzit mund të tradhtojnë, Kormaku na rendit disa prej tyre.

“Shumë njerëz që tradhtojnë, nuk po kërkojnë diçka që po u mungon në marrëdhëniet e tyre. Në fakt, personi që tradhton është duke u përballur me çështje problematike vetjake në marrëdhënien e tij”.

Sipas saj, ai ndihet i humbur në njëfarë mënyre, ose ndihet i shkëputur me një pjesë të vetvetes.

Në këtë mënyrë, ai kërkon një çështje për të mbushur ndonjë “boshllëk që mungon, për ta ndihmuar të kuptojë diçka që ndodh brenda vetes”.

Madje, mund të mos ketë fare ndonjë problematikë specifike në marrëdhënien e tij me partnerin.

Megjithatë, disa arsye më të zakonshme e më të shpeshta që i shtyjnë njerëzit drejt tradhtisë, sipas Kormakut, janë: humbja e dashurisë, zemërimi, faktorët e jashtëm, nevoja për të rritur vetëvlerësimin, apo thjesht vetëm për të pasur marrëdhënie seksuale me një person tjetër.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore