Shqipëria

Kafeneja, oazi i qetësisë për shqiptarët


Të ulesh dhe të pish një kafe. Ky është rituali më i dashur për popullin shqiptar. Dita nuk mund të quhet e plotë nëse nuk konsumojnë një kafe. Dhe kjo me orë të gjata.

Duke qenë se është rritur dëshira për konsumimin e kafes, vihet re dhe një rritje në numër i bareve dhe lokaleve në vend. Sot, kafenetë dhe baret janë vendtakimi perfekt për zhvillimin e një bisede, qoftë kjo për punë, por edhe për zgjidhjen e një problemi.

Nëse dikur caktohej ora dhe lokali përpara se të bëhej një takim, tani ka “vështirësi” në përzgjedhjen e lokalit se ku do të pihet kafeja.

Koha për kafe

Vihet re se si në mëngjes, gjatë drekës, pasdite apo në mbrëmje lokalet janë të tejmbushur nga njerëzit. Mjafton një ambient i mirë, aty ku gëlon gjithçka, pak muzikë në sfond dhe mund të shijosh një kafe për qejf.

Kështu shprehen vetë klientët e kafes poshtë pallatit. “Kafeja duhet shijuar me qetësi, me shoqëri dhe asnjëherë me shpejtësi”.

Ky trend ndodh vetëm në Shqipëri, pasi përtej Adriatikut, në Itali, Ina na tregon eksperiencën e saj. Ajo thotë se atje funksionon ndryshe.  “Nuk ka si kafenetë në Shqipëri. Këtu janë të bukura, luksoze, por edhe të lira”, rrëfen Ina, pas një vizite dyjavore tek të afërmit e saj në Itali. Duket se konsumimi me shpejtësi i kafes në banak ishte i vetmi fakt që nuk i kishte pëlqyer nga Italia.

Kafeja, bashkimi i shqiptarëve

Në Shqipëri gjithçka zhvillohet në kafene. Duke nisur që nga takimet për kënaqësi, takimet studimore, por edhe takimet për punë. Në kafene qytetarët gjejnë veten. Aty flasin për problemet në punë, qajnë hallet e shtëpisë, ngushëllohen, ndajnë gëzimet familjare, qeshin, madje edhe fejesat tashmë bëhen në kafe… Në bar takohen për herë të parë dy të rinj të njohur me mblesëri. Aty vendosin për të ardhmen e tyre. Po ashtu, në kafene takohen edhe dy miq të largët.

Zakoni i shqiptarëve për t’i pritur dhe për t’ua bërë respektin miqve në shtëpitë e tyre, duket se po humbet. Tashmë është më e lehtë të vishesh, të rregullohesh dhe të takohesh poshtë kafes së shtëpisë.

Të rinjtë janë grupmosha më e tërhequr nga kafenetë. Aty kalojnë pjesën më të madhe të kohës së lirë.

“Ku të shkoj në këtë kohë pandemie? Kinema s’ka, aktivitetet janë të pakta, në bibliotekë nuk përqendrohem duke pasur gjatë gjithë kohës maskën në fytyrë. Më mirë ulem te kafja. Edhe po nuk pata miqtë e mi, prania e njerëzve më bën të ndihem e qetë. Marr një libër, lexoj dhe studioj aty”. Kështu u shpreh një studente e vitit të dytë për Filozofi.

Po kaq të frekuentuara janë kafenetë edhe nga moshat e treta. Ata janë të parët që e shijojnë mëngjesin me një kafe turke sapo hapet lokali më i afërt i lagjes.

Ritet e hershme të kafes

Në kohët e mëparshme njerëzit komunikonin përmes shijes së kafesë. Për shembull nëse një malësor shkonte në shtëpinë e një miku për fejesë, konflikt apo zbutje gjakrash, kishte raste kur përgjigjja nuk thuhej me fjalë, por me shijen e kafes. Nëse shija ishte e ëmbël, përgjigjja ishte në rrugë të mbarë, nëse ishte e mesme, çështja ishte pezull dhe nëse ishte e hidhur kuptohej që kjo çështje nuk duhej të diskutohej.

Kafehania në Shkodër

Në lidhje me këtë çështje, psikologia Ina Elezi, tha për Albanian Post, se nga frekuentimi i lartë që kanë kafenetë, thuajse nga të gjitha grupmoshat, nuk mund të merret vetëm koncepti negativ i harxhimit të kohës apo i çuarjes dëm të saj. “Shqiptarët kanë më pak problematika psikologjike, për shkak të ndërveprimit social që shfaqin në kafene”, u shpreh ajo.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore