Shëndet

Kur gjen lumturinë te joga


“Gjendja ime ishte shumë keq! Ndihesha e dërrmuar dhe tepër e lodhur nga çdo gjë që më rrethonte. Shtrihesha në krevat, qaja dhe rrija vetëm për orë të tëra”.

“Nuk kisha më dëshirë dhe as frymëzim për të bërë asgjë. Ndihesha si një qenie e padobishme”.

Këto janë fjalët e Genta Lalës dhe Sofia Deljallisit për Albanian Post (AP) pas një gjendjeje depresioni.

Për vite me radhë, psikologët dhe mjekët kanë studiuar të gjitha format e stresit, depresionit dhe mënyrat sesi shmanget ai.

Sipas tyre, gati e gjithë lumturia, varet nga shëndeti mendor.

Sipas studimeve, joga është një metodat kryesore për përmirësimin e shëndetit mendor.

Çfarë thonë psikologët mbi këtë fenomen?

Fleura Shkëmbi, psikologe dhe hipnoterapiste publike, shpjegon për AP se rastet e njerëzve në depresion i ndesh çdo ditë. Ajo flet për simptomat dhe mënyrat sesi duhet të menaxhohet stresi.

“Te njerëz të ndryshëm shfaqen simptoma të ndryshme. Disa kanë djersitje të duarve, disa dhimbje të kokës dhe të qafës, dridhje të trupit, disa nuk i zë gjumi, probleme me frymëmarrjen.

Mund të kesh marrje mendsh, mungesë përqendrimi, mund të jesh ankthioz edhe pa asnjë lloj shkaku. Mund të fillosh pastaj me mendimet negative dhe mendimet janë ato që janë gjatë gjithë kohës, në kokë prandaj organizmi lodhet”, u shpreh Fleura.

Për Shkëmbin, joga është një nga metodat që ndihmon në shëndetin mendor, mirëqenien emocionale dhe atë fizike. Ajo ndihmon në sistemin nervor dhe gjërat që na bëjnë të ndihemi të shqetësuar apo të irrituar.

Pra, t’i adresosh të gjitha këto me një klasë joge është gjëja më e mirë në kushtet e shtëpisë dhe natyrë. Joga ndihmon dukshëm në uljen e stresit dhe depresionit.

Për dy klientët e Fleurës, Gentën dhe Sofian, joga ka arritur t’i nxjerrë nga depresioni.

“Thjesht më bën të ndihem vërtet mirë. Që kur fillova të bëja joga dola nga gjendja depresive. Arsyeja përse ndryshon jeta përmes jogës, është fakti që trupi dhe mendja arrin gjendjen më të lartë të energjisë”, thotë Lala.

Fleura i mëshon teorisë që, nëse mendon ndryshe njerëzit, kanë aftësinë të projektojnë një botë ndryshe.

Edhe për instruktoren e jogës, Anilda Noçka, kjo metodë përmirëson ndjeshëm shëndetin mendor.

Ajo thotë se tani është më e rëndësishme se kurrë të krijosh kohë për veten.

Është mirë të gjeni pak kohë për vete për një ecje apo për të bërë joga, për të medituar apo diçka tjetër që të jep njëfarë qetësie, në mënyrë që të mund të tolerosh njerëzit që ke përreth, që i do por që në kushtet e të qenit çdo minutë bashkë edhe mund të bezdisin”.

Instruktorja thotë se, pak joga, mund të të ndihmojë shumë në kohë të vështira. Ajo mund të të ndihmojë ta përballosh ditën me më shumë pozitivitet dhe të nxisësh nivelin krijues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore