Shqipëria

Kur çështja McGonigal në Washington lexohet me logjikën e Muzeut të Gjetheve


Çështja e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal po trondit botën politike amerikane.

Fakti që një zyrtar i lartë i FBI-së po ndiqet penalisht për korrupsion dhe akuzohet për marrëdhënie me oligarkun rus të goditur nga sanksionet, Oleg Deripaska, shton presionin nga e djathta amerikane kundër agjencisë së inteligjencës që udhëhoqi hetimin e ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet që sollën Donald Trump-in në Shtëpinë e Bardhë.

Agjenti special Charles McGonigal, në karrierën e tij më shumë se njëzetvjeçare në agjencinë federale, njihej si një nga ekspertët më të mirë të Rusisë dhe hetonte infiltrimin rus në Perëndim.

Për këtë ai ishte transferuar në drejtimin e zyrës së Nju Jorkut, e cila është ajo që koordinon këtë lloj hetimi.

Gazeta amerikane “Washington Post”, ditën e hënë 13 shkurt, ka publikuar një raport të gjatë mbi hetimin që përfshin ish-ekzekutivin e FBI-së.

Dhe ky artikull ka ndezur një fushatë akuzash të dhunshme nga koalicioni i krahut të djathtë shqiptar, i cili tani po akuzon kryeministrin Edi Rama për ryshfet (me paratë e oligarkut Oleg Deripaska) kundrejt zyrtarëve të inteligjencës dhe ambasadorëve të SHBA-ve për të kurdisur një komplot “për të shkatërruar opozitën shqiptare”. Mediumet e krahut opozitar me titujt e tyre nxituan të ngrenë supozime zhurmuese dhe akuzash pa fakte.

Për këtë çështje, Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë organizuar së fundmi protesta të bujshme nën zhurmën e shashkave, tymuesve dhe bilbilave në Kuvend, gjë që ka bërë bujë të vërtetë në mediat shqiptare në të cilat nuk dihet më se çfarë del në pah nga hetimi amerikan për llogari të kryeministrit tonë, se çfarë shkruan realisht “Washington Post”.

Prandaj, le të përpiqemi t’i sqarojmë gjërat duke iu referuar asaj që doli nga raporti i prestigjiozes amerikane.

Edi Rama shfaqet në hetimin për McGonigal kur zyrtari i lartë e takon atë gjatë periudhës së kryerjes së detyrës (2017), i shoqëruar te kryeministri nga një ish-agjent i inteligjencës shqiptare, Agron Neza.

Shkruan Washington Post “Më pas, të dy burrat udhëtuan së bashku drejt Shqipërisë në shtator 2017, ku u takuan me kryeministrin Edi Rama, thuhet më tej në aktakuzë”.

“McGonigal, i cili ishte ende duke punuar për FBI-në në atë kohë”, i dha kryeministrit dosje të FBI-së dhe “e paralajmëroi atë kundër dhënies së licencave fitimprurëse të shpimit për kompanitë që ishin përfaqësuese të interesave ruse”.

Ndërsa McGonigal dukej se po vepronte në rolin e tij si oficer i kundërzbulimit kundër ndikimit rus, prokurorët thonë se, në fakt “Neza dhe një tjetër shqiptar që punonte me McGonigal, i identifikuar nga prokurorët si një këshilltar informal i Ramës, kishin interesat e tyre financiare në fushën e naftës”.

Ndaj Edi Rama do të kishte takuar zyrtarin e lartë amerikan, i cili në ushtrimin e detyrës e paralajmëroi për një tentativë depërtimi rus në sektorin e naftës shqiptare.

“Washington Post”, në fakt, më pas nënvizon rregullsinë absolute të këtij takimi: ekspertët thanë se liderët e të dy partive përpiqen të ndërtojnë dhe forcojnë lidhje me figurat kryesore amerikane, duke e bërë kështu aleancën me një zyrtar të lartë të FBI-së një mjet potencialisht të dobishëm për Ramën për të ndërtuar popullaritetin e tij në vend.

Në dosjen e hetimit për ish-agjentin e FBI-së, kryeministri shqiptar citohet edhe një herë “para se të tërhiqeshe nga FBI në vitin 2018, akuza pretendon se McGonigal dhe Neza u takuan vazhdimisht me Ramën në Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëri, përfshirë një herë për darkë në Uashington në mars 2018, kur atyre iu bashkua një ish-agjent i FBI-së, i cili nuk është identifikuar”.

Por edhe një herë pas këtij paragrafi, gazetari i “Washington Post” nxiton të nënvizojë normalitetin e këtyre takimeve “diplomatë të nivelit të lartë amerikan dhe zyrtarë të sigurisë bëjnë udhëtime të shpeshta në Shqipëri, tha Jasmin Mujanoviç, një ekspert i politikës ballkanike, duke treguar se ndërveprimet e McGonigal me kryeministrin do të ishin parë në vend si rutinë dhe jo befasuese”.

Në raportin e gjatë të gazetës autoritare “Washington Post” nuk ka asnjë referencë tjetër në lidhje me një akt korruptiv të treguar për kryeministrin Rama.

Dhe takimet me McGonigal paraqiten si marrëdhënie normale mes një kreu të qeverisë dhe një zyrtari të lartë të FBI-së që janë pjesë normale e protokollove administrative.

Washington Post citon Shqipërinë vetëm në një rast tjetër “Sipas aktakuzës, McGonigal inkurajoi FBI-në të hapte një hetim penal në vitin 2018 për një lobist amerikan që vepronte në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, opozita kryesore e Partisë Socialiste të Ramës. Një pjesë e informacioneve kundër lobistit, thonë prokurorët, ka ardhur nga Neza dhe ka origjinën në zyrën e Ramës”.

“Individi nuk përmendet në aktakuzë, por duket se përputhet me lobistin dhe ish-punonjësin republikan të Capitol Hill, Nick Muzin, i cili u vu nën vëzhgim në të njëjtën periudhë pasi një artikull i marsit 2018 në Mother Jones ngriti pyetje nëse tarifat e tij të këshillimit mund të ishin paguar nga një kompani që ishte përfaqësuese e interesave ruse, duke nxitur një hetim në Shqipëri. Për këtë rast nuk u ngrit asnjë akuzë”.

Kush ama u jep hapësirë teorive konspirative të Berishës, Metës dhe mbështetësve të tyre, është një tjetër gazetë shumë më pak autoritative se “Washington Post”, ajo me emrin “ Washington Examiner”, e cila i përket si referencë zonës Trumpiste të Partisë Republikane dhe po kalon çështjen McGonigal si një armë hakmarrjeje ndaj FBI-së, e konsideruar armik i vërtetë për t’u vrarë nga ish-presidenti amerikan.

Shkruan gazetari i Washington Examiner “McGonigal bëri disa udhëtime në Shqipëri për të ndihmuar Ramën, edhe në shtator 2017, kur i pandehuri ishte ende një zyrtar i lartë i FBI-së.

Ndërsa ky udhëtim kishte një qëllim zyrtar të FBI-së, qëllimi i tij jozyrtar ishte të ndihmonte Ramën për të qenë prepotent me kundërshtarët e tij në Shqipëri”.

Nuk dihet se mbi çfarë baze e mbështet teorinë e tij kolumnisti mbi përmbajtjen “jozyrtare” të takimeve mes agjentit të FBI-së dhe Ramës.

Dhe duke iu referuar burimeve edhe më të paqarta, ai hedh akuza edhe më të rënda (për zhvatje si shantazh) sesa ato që përmban hetimi i prokurorëve amerikanë për veprimtarinë e McGonigal në Shqipëri “Burimet më thonë se McGonigal goditi Shefqet Kastratin, manjatin kryesor të naftës shqiptare. për 12 milionë euro, me vlerë gati 15 milionë dollarë në vitin 2017”.

“Me sa duket, McGonigal ka tentuar të marrë ryshfet edhe nga Samir Mane, një biznesmen i shquar shqiptar, në mënyrë të ngjashme. Burimet ballkanike thonë se përfitimi i McGonigal nga kjo tronditje ishte në rendin prej 30 milionë euro, megjithëse me sa duket ishte ndarë me partnerët e tij shqiptarë”.

Në asnjë nga hetimet nga prokurorët në Washington dalin emrat e dy biznesmeneve shqiptare. Mbetet enigmatik burimi i përdorimit të tyre nga ana e Washington Examiner.

Për çështjen McGonigal, në Amerikë po zhvillohet pa dyshim një konfrontim i ashpër politik dhe ku qartësisht është tentativa e Donald Trump për t’u hakmarrë ndaj agjencisë së inteligjencës që i krijoi më shumë probleme se kushdo para dhe pas zgjedhjeve presidenciale.

Berisha dhe Meta përpiqen ta transferojnë këtë përballje politike në Shqipëri, me shumë zhurmë. Por, për momentin nuk ka asnjë provë apo gjurmë prove për sjelljen korruptive të kryeministrit shqiptar.

Nëse do të dalin elementë të akuzës për Edi Ramën, atëherë ai do të duhet të mbajë përgjegjësi.

Ndërkohë, ndoshta drejtësia shqiptare duhet t’u kërkojë gjykatësve amerikanë kopje të dokumenteve që vërtetojnë veprimtarinë e paligjshme të McGonigal në Shqipëri dhe përpjekjet e kapitalit rus për të depërtuar në ekonominë tonë.

Gazetaria duke u bazuar në principet e saj, ku vlerën e marrin faktet në rrëfimin e ngjarjes dhe jo gjykimi i njëanshëm, ditën e djeshme do të duhet opinionit t’i rrëfente esencën e gjuhës së përdorur nga Washington Post, ku qëllimi është informimi profesional dhe jo akuzat pa prova a gjurmë provash.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore