Lajme

Kur Albin Kurti mendonte se me ardhjen e Demokratëve të Joe Biden në pushtet do të rregullohet gjithçka


Foto nga Albanian Post

“Administratat vijnë e shkojnë, Dhomat e përfaqësuesve mblidhen e shpërndahen, Senatorët ndryshojnë, por Senati është gjithmonë aty në Kapitol dhe gjithmonë i organizuar, me një ekzistencë të pandërprerë që nga viti 1789”, thoshte Senatori, Henry Cabot Lodge nga Massachusetts, duke portretizuar kështu fuqinë e ligjvënësve amerikanë në raport me ekzekutivin.

Ndonëse në sytë e republikanit Lodge, Senati ishte mekanizmi që determinonte shtratin e politikave brenda dhe jashtë ShBA-ve, e jo Shtëpia e Bardhë, më shumë se 10 dekada më vonë në një shtet 9 mijë kilometra larg ShBA-ve një politikan kosovar, mendonte ndryshe.

Albin Kurti, i bënte thirrje diasporës shqiptare në ShBA të votojnë kandidatin, që sipas tij, meritonte të ishte Presidenti i 46-të i ShBA-ve nga Partia Demokratike, meqë kështu do t’i binte më mirë edhe Kosovës.

Për Kurtin tashmë një gjë ishte e qartë – me ardhjen në pushtet të Biden, pozicioni i Kosovës në raport Serbinë do të forcohej, kjo pasi që sipas tij, Biden ishte një mik i vërtet dhe një alet i dëshmuar i shqiptarëve.

“Do të ngjallte shpresë të re në kërkimin tonë për njohje të ndërsjellët me Serbinë, përmes një procesi paqësor që është i ndershëm, transparent i ndjeshëm ndaj historisë dhe i paanshëm. Një Shtëpi e Bardhë e Biden-it do të sjellë kthimin e udhëheqjes amerikane, e cila është shumë e nevojshme, në botën e rrezikshme me të cilën përballemi sot”, thoshte Kurti në një video-mesazh dedikuar shqiptarëve që jetojnë në ShBA-të.

Bindja e Kurtit që në një mënyrë të paprecedent u bë publike, ishte se administrata e Donald Trump, përmes të deleguarve të tij për Ballkanin Perëndimor, siç ishte Richard Grenell, po favorizonte Serbinë në raport me Kosovën.

Joe Biden dhe Faton Bislimi

Kanë kaluar më shumë se 2 vjet që në krye të Shtëpisë së Bardhë gjendet 80 vjeçari Joe Biden, i cili korri sukses, në një garë të ngushtë, ndaj kundër kandidatit Donald Trump, duke fituar kështu epitetin e presidentit më të moshuar në historinë e vendit, por si qëndron Kosova në raport me Serbinë në kuadër të dialogut që prej kur Biden udhëheq zyrën ovale?

Për “befasinë” e Kurtit administrata e Biden pak dallon nga ajo e Trump, ose dallon në drejtimin e kundërt që e kishte menduar Kurti.

Fillimisht, si për të vërtetuar atë që kishte deklaruar Senatori, Henry Cabot Lodge, nga demokratët u bë e qartë se ata i qëndrojnë prapa marrëveshjes së Uashingtonit, e nënshkruar mes Kosovës e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë para presidentit Trump.

Këtë marrëveshje Kurti si opozitar e quante një mbledhi ku janë vendosur “thika mbi harta”, por e njëjta u tha se ka mbështetjen edhe të administratë së re.

Janë pikërisht, Derek Chollet e Gabriel Escobar, njëri Këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit Amerikan e tjetri Emisari Special i SHBA-ve për Ballkanin perëndimor, dy të emëruar në kohën e administratës Biden, ata të cilët në mënyrë imediate po kërkojnë implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ani pse Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po refuzon, të paktën deklarativisht, të vë në funksion një mekanizëm të tillë.

Prandaj, sipas shqiptaro-amerikanit, ish-deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, ndonëse dy taborët kryesorë politik, Demokratët dhe Republikanët mund të kenë dallime ideologjike e qasje të ndryshme në raport me politikën e jashtme, të njëjtit përqafojnë edhe shumë vlera të përbashkëta.

“Në këtë kontekst, ne duhet qenë shumë syhapur. Fatkeqësisht, shumë njerëz në Kosovë, përfshirë këtu edhe politikanë e analistë, nuk kanë arritur asnjëherë të mësojnë thelbin e dallimit dhe vlerat e përbashkëta në mes dy taborëve politike kryesore në ShBA—Demokratëve dhe Republikanëve”, thotë Bislimi për Albanian Post.

Demokratët amerikanë po ashtu në fillim të mandatit caktuan një diplomat të njohur si ambasador i ardhshëm në Serbi.

Christopher Hill në bindjen e shqiptarëve ishte një person që e njeh shumë mirë historinë – atë që nuk e njihte Grenell, sipas Kurtit – prandaj do të ishte e lehtë të punohej me të.

Hill erdhi, por jo ashtu siç e kishin menduar brenda Vetëvendosjes. Në disa raste, ambasadori veteran, në sytë e pushtetit në Kosovë ngjau se po merr anë nga pala tjetër.

Një nga komentet e Hill ishte se kur po udhëtojnë për në Bruksel Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti, ky i parë po shkon i përgatitur në bisedime.

“Pala serbe ishte më të vërtetë e përgatitur në bisedime dhe e dinte çfarë donte”, pati deklaruar Hill në një intervistë në N1 në Serbi, duke shtuar se “s’mund ta them të njëjtën gjë për palën tjetër”.

Hill do dilte edhe kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për ri-regjistrimin e veturave që mbajnë targa serbe ilegale në Kosovë.

Atij i ishte dukur absurde se si po rrezikohet “të bëhet luftë për targa”.

“Kam parë në jetën time të bëhet luftë për shumë gjëra, por një luftë për targa nuk e kam parë ndoku”, pati deklaruar Hill në një konferencë të sigurisë në Beograd, ku pjesëmarrës përmes video-lidhjes ishte edhe Besnik Bislimi.

Komenti Hill do bënte të qartë se amerikanët nuk përkrahnin simboliken prapa veprimit, pra idenë e shtrirjes së sovraniteti përmes regjistrimit të veturave.

Hill-i do të ishte i ashpër në sytë e shqiptarëve edhe për shumë çështje të tjera.

Ai do përmende më shumë se cilido diplomat tjetër edhe nevojën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një obligim që del nga marrëveshja e Brukselit nga viti 2013, por që Kurti ka refuzuar ta marrë “sepse nuk e kam nënshkruar unë”, por edhe pse nuk është në interes të Kosovë.

Hill do deluziononte politikanët patetikë të Kosovës që projektojnë politikat e jashtme përmes ndjenjave edhe në shumë raste të tjera, kur deklaronte se “as nuk është në pyetje që do themelohet Asociacioni, çështja është vetëm se si do të funksionojë”.

Në ndërkohë, Grenellin e padëshiruar në Kosovë do ta zëvendësonte Gabriel Escobar, i cili u caktua nga administrata e Biden si i dërguari special për Ballkanin Perëndimor.

Escobar nga një person i pëlqyer në fillim, ngadalë do shndërrohej në një politikan që thënë me fjalët e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “nuk e kupton politikën e Serbisë” dhe gjithashtu “i bën lëshime Serbisë”.

Escobar, diplomat karriere me përvojë të gjatë në vende të ndryshme të botës, që me ngulm kërkon themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe zbatimin e vendimit për tokat rreth Manastriti të Deçanit, në një nga vizitat e tij në Kosovë kishte zgjedhur pikërisht manastirin për të bërë një natë, si simbol i përkrahjes së tij.

Edhe Escobar njëjtë si Hill filloi të portretizohet si person që anon nga Serbia.

Media e gazetarë pro pushtetit në Kosovë, nxorën tekste duke pretenduar se Escobar edhe sa ishte i angazhuar në të kaluarën në Mal të Zi, kishte ndihmuar interesat serbe atje.

Deputet të pushtetit si Adnan Rrustemi madje nxorën në Facebook edhe një fjalim të senatorit Bob Menendez duke folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe rrezikun që ky organizëm të jap efektin e njëjtë negativ si Republika Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në përshkrim të videos, Rrustemi shkruante se Menendez po “ia kujton Escobar-it Bosnjën”.

Të deleguarit e Administratës Biden, ndonëse po kërkojnë implementimin e një marrëveshjeje e cila është obligim ndërkombëtar, të cilën Kosova duhet ta përmbushë, të njëjtit kanë dhënë garanci të forta se ShBA-të nuk do të mbështesin një Asociacion të tipit Republika Srpska si një Bosnje e Hercegovinë, i cili do ta defunksionalizonte shtetin e Kosovës.

Por, për politikanin Bislimi kjo qasje është gabim, sepse “Kosovës i duhet qasje dypartiake të ShBA-ve” ashtu sic e ka pasur gjithmonë.

“Duhet implementim i denjë i kësaj formule që të arrihet suksesi i nevojshëm për vendin tonë, edhe në aspektin e marrëveshjes finale me Serbinë, përfshirë këtu edhe çështjen e asociacionit. Ne nuk kemi dalë humbës asnjëherë nga asnjë marrëveshje e arritur me ShBA-të apo me garancitë e tyre”, argumenton Bislimi.

Prandaj, atë që para një shekulli e ka thënë senatori, Henry Cabot Lodge, sot e thotë edhe Bislimi.

Sipas tij çështja e Kosovës ka gjithmonë më shumë përkrahje kur liderët e Republikanëve e Demokratëve janë unison.

“’Kërcënimin e Kërshëndellave’” ndaj Millosheviqit kush e dha më 1992? Aprovimin e futjes së ShBA-së në luftën e NATO-s në Kosovë kush e bëri më 1999? Pavarësinë e Kosovës kush e solli dhe e njohu menjëherë? Po ushtrisë së Kosovës kush ia bëri aminin final? Presidenti George Bush, Kryetari i Kongresit Neët Gingrich, Presidenti George Ë. Bush, Presidenti Trump, respektivisht. Dhe krejt këta Republikanë”.

“Fatbardhësia jonë është se kauzën për Kosovën në ShBA e kemi ndërtuar si kauzë jopartiake, pra, kemi fituar përkrahjen e të dyja taborëve që nga fillimi, falë Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Andaj, këtu janë edhe Demokratët pa të cilët s’do arrinim suksesin e deritanishëm si Kongresisti Tom Lantos, Senatori Biden asokohe, Senatori Schumer, Presidenti Clinton, e shumë figura tjera emblematike të politikës në SHBA”, përfundon Bislimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore