Sport

Kupa e Italisë/ Atalanta kalon pa probleme në raundin tjetër (VIDEO)


Atalanta e Gian Piero Gasperini-t ka arritur të triumfojë në ndeshjen hapëse të fazës së 1/8-ve të Kupës së Italisë përballë Venezia-s.

Bergamaskët, që ishin dhe skuadra pritëse e takimit, fituan me shifrat 2-0. Ky raund është vetëm me një takim dhe Atalanta pas fitores ka siguruar raundin tjetër.

Vendasit dominuan lojën për 90 minuta. Goli i parë i takimit u shënua nga kolumbiani, Luis Muriel-i. 30-vjeçari shënoi në minutën e 12.

Rasti u konfirmua gol i rregullt pas rishikimit në VAR, pasi dyshohej për prekje të topit me dorë nga ana e sulmuesit.

Me golin e Muriel-it do të vuloseshin shifrat e takimit në 1-0 për pjesën e parë.

Në pjesën e dytë, vetëm dy minuta para përfundimit të kohës së rregullt të takimit do të vinte dhe goli i sigurisë për zikaltrit.

Danezi, Joakim Maehle e dërgoi topin pas krahve të portierit mik, duke shfrytëzuar mirë topin e dhënë nga Mario Pasalic-i.

Për anësorin 24-vjeçar ky ishte goli i dytë me fanellën e Atalanta-s, pas atij në kampionat në fitoren 6-2 ndaj Udinese-s, tre dite më parë.

Atalanta me fitoren e arritur bëhet skuadra e parë që kalon në raundin tjetër. Teksa do të duhet të presë skuadrat e tjera që do të dalin nga përballjet:

13 janar

Napoli – Fiorentina

Milan – Genoa

18 janar

Lazio – Udinese

Juventus – Sampdoria

19 janar

Sassuolo – Cagliari

Inter – Empoli

20 janar

Roma – Lecce

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore