Sport

Kupa e Francës, luhet për gjysmëfinalet


Në Francë do të luhen dy ndeshje çerekfinaliste të Kupës, ditën e mërkurë. PSG do të ketë përballë Angers-in dhe Lyon-i do të përballet me Monaco-n.

Në “Parc des Princes”, duke filluar nga ora 18:45, PSG pret Angers-in, në një ndeshje të lehtë në letër. Kryeqytetasit erdhën në çerekfinale pasi mundën Lille-n me rezultatin 3-0. Angers-i mbërriti në këtë fazë pasi më herët eleminoi CS Sedan-in.

PSG i ka fituar dy përballjet e fundit me Angers-in në Kupën e Francës. Në 2017 fitoi 0-1 dhe në 2015 fitoi 1-3. Ndërsa në 11 ndeshjet e fundit, në të gjitha kompeticionet, PSG ia ka dalë t’i fitojë të gjitha përballjet.

“Groupama Stadium” do të presë takimin midis vendasve të Lyon-it dhe Monaco-s, duke filluar nga ora 21:10.

Lyon-i mbërriti në çerekfinale pasi më herët eleminoi Red Star-in pas 11 metërshave. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-2 dhe nga pika e bardhë u shënuan pesë gola nga Lyon-i dhe katër nga Red Star-i.

Monaco gjithashtu kaloi në çerekfinale falë penalltive. Koha e rregullt përfundoi me rezultatin 0-0. Te gjuajtjet e 11 metërshave, Monaco u tregua më e saktë duke shënuar pesë herë përballë Metz-it që shënoi katër herë.

Përballja e fundit mes tyre në Kupën e Francës, ishte në janar të 2018, ndeshje që përfundoi me rezultatin 2-3 në favor të Lyon-it.

Më herët për në gjysmëfinalen e Kupës së Francës janë kualifikuar Montpellier-i dhe Vallieres-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore