Lajme

Kundërpërgjigjet Amerika, godet grupin pro-iranian në Siri


SHBA-të kanë ndërmarrë një sulm masiv ajror ndaj një grupimi të mbështetur nga Irani në Siri, pasi një kontraktor amerikan u vra, si pasojë e një sulmi të dyshuar ajror, të ndërmarrë nga Teherani në bazën e koalicionit perëndimor, në rajonin veri-lindor të Sirisë.

Pesë persona të shërbimit dhe një kontraktor tjetër amerikan, kishin mbetur të lënduar në sulmin e ndërmarrë të enjten në bazën amerikane, sipas Pentagonit.

Ndaj, në kundërpërgjigje, Washingtoni mori vendimin e prerë dhe të menjëhershëm, për të ndërmarrë sulme ajrore me përpikmëri të lartë, ku të goditura ishin disa ndërtesa, që shërbenin si baza për grupe të lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit.

Këto baza ndodheshin në Sirinë lindore dhe u asgjësuan me përgjigjen amerikane ndaj sulmit në bazën perëndimore.

Mbi këtë të fundit, jo vetëm SHBA-të, por edhe aleatët e tjerë, argumentuan qartë se kishte të dhëna domethënëse, të cilat të çonin në zbulimin e autorësisë, e cila nuk vihej në diskutim se ishte nga Teherani.

Disa video ndërkohë kanë qarkulluar në media sociale, ku tregohen shpërthimet masive pas sulmeve ajrore amerikane, në provincën Deir Ez-Zor, e cila është edhe një pikë strategjike, në kufi me Irakun, ku ka rezerva të shumta nafte.

Këto zona kontrollohen prej paramilitarëve të Gardës Revolucionare iraniane dhe vetë këta të fundit, përgjigjen përpara një personi të vetëm, lidhur me veprimet e tyre: Ayatollah Ali Khamenei.

Pikërisht lideri suprem iranian dyshohet se e ka dhënë urdhrin për sulmin në bazën perëndimore, duke shkaktuar edhe viktima e të plagosur.

Tensionet në vitet e fundit në këtë zonë kanë qenë të larta, ku presidenti amerikan, Joe Biden, ka dhenë urdhër tre herë për të sulmuar, në shkurt 2021 dhe në gusht 2022.

Ndërsa, këto trazira të fundit, vijnë pikërisht me nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore