Lajme

Kundërofensiva e Ukrainës ‘gati për të filluar’, thotë zyrtari i lartë


Ukraina është e gatshme të nisë kundërsulmimin e saj të shumëpritur kundër forcave ruse, ka thënë një nga zyrtarët më të lartë të sigurisë në vend për multimedialin britanik BBC.

Oleksiy Danilov nuk përmendi një datë, por tha se një sulm për të rimarrë territorin nga forcat pushtuese të presidentit Vladimir Putin mund të fillojë “nesër, pasnesër ose pas një jave”.

Ai paralajmëroi se qeveria e Ukrainës kishte një “mundësi historike që nuk mund ta humbim”.

Si sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Danilov është në zemër të kabinetit de facto të luftës të Presidentit Volodymyr Zelensky, vëren BBC-ja.

Intervista e tij e rrallë me BBC-në u ndërpre nga një mesazh telefonik nga presidenti Zelensky duke e thirrur atë në një takim për të diskutuar kundër ofensivës.

Gjatë intervistës, ai gjithashtu konfirmoi se disa forca mercenare Wagner po tërhiqeshin nga qyteti i Bakhmut, vendi i betejës më të përgjakshme të luftës deri më tani.

Ai shtoi se ata “po rigrupoheshin në tre vende të tjera” dhe “nuk do të thotë se ata do të ndalojnë së luftuari me ne”.

Danilov tha gjithashtu se ishte “absolutisht i qetë” në lidhje me angazhimin e Rusisë për të vendosur armë bërthamore në Bjellorusi, duke thënë: “Për ne, nuk përbën lajm”.

Ukraina ka planifikuar një kundërsulm prej muajsh. Por ajo ka kërkuar sa më shumë kohë të jetë e mundur për të trajnuar trupat dhe për të marrë pajisje ushtarake nga aleatët perëndimorë.

Ndërkohë, forcat ruse kanë përgatitur mbrojtjen e tyre.

Danilov tha se forcat e armatosura do të fillonin sulmin kur komandantët të llogaritnin “ne mund të kemi rezultatin më të mirë në atë pikë të luftës”.

Danilov hodhi poshtë sugjerimet se kundërofensiva kishte filluar tashmë, duke thënë se “shkatërrimi i qendrave ruse të kontrollit dhe pajisjeve ushtarake ruse” ishte detyrë e forcave të armatosura ukrainase që nga 24 shkurti i vitit të kaluar.

“Ne nuk kemi asnjë ditë pushimi gjatë kësaj lufte”, tha ai.

Ai mbrojti vendimin e ushtrisë së Ukrainës për të luftuar në Bakhmut për kaq shumë muaj, një betejë që ka kushtuar jetën e shumë prej ushtarëve të saj.

“Bakhmut është toka jonë, territori ynë dhe ne duhet ta mbrojmë atë”, tha ai. “Nëse ne fillojmë të largohemi nga çdo vendbanim, kjo mund të na çojë në kufirin tonë perëndimor siç dëshironte Putin-i që në ditët e para të luftës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore