Lajme

Kufijtë e Turqisë në Ballkan


Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan duke vëzhguar ceremoninë e shkëmbimit të marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Turqisë në Beograd

Kriza e fundit në Bosnje dhe Hercegovinë (BeH) ka nxjerrë në pah përshtatshmërinë si dhe kufizimet e politikës turke në Ballkan.

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, së fundmi në Ankara kishte pritur, anëtarin serb të presidencës së BeH, Milorad Dodik për të diskutuar krizën politike në Bosnje e shkaktuar nga ky i fundit i cili kishte kërcënuar me braktisje të institucioneve shtetërore.

Në fillim të nëntorit udhëheqësi boshnjak i Bosnjës, Bakir Izetbegoviç, vizitoi Erdoganin në Stamboll për të trajtuar të njëjtën çështje.

Angazhimet e fundit të Ankarasë në Gadishullin ballkanik është tregues se politika e Turqisë në rajon mund t’i përshtatet ndryshimeve dhe udhëhiqet nga pragmatizmi dhe jo nga konceptet ideologjike të neo-otomanizmit- një ideologji që supozon se Turqia moderne duhet të rivendosë ndikimin e saj gjeopolitik në territoret që dikur ishin nën Perandorin Osmane, shkuran hulumtuesi serb Vuk Vuksanoviç.

Sipas tij heshtja fillestare e Turqisë gjatë krizës aktuale të BeH, pavarësisht nga ambicia e Erdoganit për të qenë ndërmjetës, tregon se Ankaraja ka kufijtë e saj në Ballkan.

Por megjithatë angazhimi i fundit diplomacisë turke me rajonin është tregues se Ankaraja nuk i ndërpret lidhjet edhe kur është e pakënaqur me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ndërsa Erdogan vizitoi Bosnjën dhe Malin e Zi, ai anashkaloi Serbinë, edhe pse bashkëpunimi serbo-turk filloi një ngritje historike në vitet e fundit dhe pavarësisht perceptimit tradicional të Ankarasë për Serbinë si çelës për stabilitetin strategjik të rajonit.

Mospërfillja e dukshme mund të ketë qenë një shenjë e erërave të ftohta në marrëdhëniet midis Turqisë dhe Serbisë, pjesërisht si rezultat i bashkëpunimit të Serbisë me disa nga rivalët e Turqisë, si Armenia, Qipro dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe njoftimit të Ankarasë se do të lobojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës në mesin e shteteve që deri më tani kanë refuzuar ta bëjnë këtë.

Megjithatë Turqia nëse është e pakënaqur me disa kombe, ajo nuk i shkatron të gjitha urat, veçanërisht kur përfshin shtetet më të rëndësishme. Për Turqinë, këto janë Serbia dhe Bosnja, siç dëshmohet nga projekti kryesor i Turqisë në rajon, autostrada Beograd-Sarajevë.

Aleksandër Vuçiç, Recep Tayyip Erdogan anëtarët e presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Sefik Xheferovic, Kryetari i presidencës Zeljko Komsiç dhe Milorad Dodik, në ceremoninë e gurthemelit për autostradën Beograd-Sarajevë

Ankaraja po përpiqet të largohet nga të qenit thjesht një udhërrëfyes për myslimanët e Ballkanit dhe në vend të kësaj të veprojë si ndërmjetës midis grupeve të ndryshme etnike në rajon. Kjo u bë e dukshme gjatë vizitës së Erdoganit në Bosnje dhe vizitës së Dodik në Turqi, kur Dodik dhe Erdogan u bënë partnerë politikë.

Politika e jashtme turke, pavarësisht retorikës, sipas Vuksanoviç ka kufizimet e saj. Turqia ishte e ngadaltë për të vepruar në fillim për krizën në Bosnje.

Ankaraja duket e gatshme t’ia kalojë Perëndimit këtë patate të nxehtë. Kapacitetet e Turqisë në Ballkan janë të kufizuara në krahasim me Perëndimin. Qeveria turke është e preokupuar me dinamikën e saj të brendshme, duke përfshirë thashethemet për përkeqësimin e shëndetit të Erdoganit dhe përgatitjet për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2023.

Ankaraja gjithmonë duhet të kalibrojë politikën e saj në Gadishull bazuar në mënyrën se si do të reflektojë në lidhjet e saj dypalëshe me Beogradin, por më e rëndësishmja, marrëdhëniet e saj me Perëndimin dhe Rusinë.

Rusia dhe Perëndimi janë të përfshirë në një betejë kokë më kokë në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Bosnjën. Njëkohësisht, Turqia duhet të koordinohet me Rusinë jo vetëm për Ballkanin, por edhe për çështje të nxehta si Kaukazi. Ankaraja duhet të ketë gjithmonë kujdes kur zgjedh kohën dhe tonin e lëvizjeve të saj ballkanike.

Angazhimi i fundit turk me Ballkanin tregon se politika e saj e jashtme në rajon udhëhiqet nga pragmatizmi dhe se Ankaraja di të përshtatet me ndryshimin e dinamikave rajonale.

Erdogan mund të festojë Perandorinë Osmane në fjalimet e tij, por në fund të fundit, ai është i gjithë kalkulim. Bazuar në krizën aktuale të Bosnjës, është e qartë se Turqia, pavarësisht ambicieve dhe retorikës patriotike, përballet me kufijtë se sa larg mund të shkojë në Ballkan. Një gjë është gjithashtu e sigurt, në Ballkan askush nuk i beson askujt këto ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore