Sport

Kualifikueset e Kupës së Botës femra, Shqipëria tripletë Kosovës në ‘Fadil Vokrri’


Kombëtarja e femrave të Shqipërisë ka arritur të triumfojë në stadiumin “Fadil Vokrri” përballë vendaseve të Kosovës, me rezultatin 3-1.

Dy kombëtaret u përballën për kualifikueset e Kupës së Botës, Australi – Zeland e Re 2023. Ato janë pjesë e Grupit F, së bashku me Norvegjinë, Poloninë, Belgjikën dhe Armeninë.

Vajzat kuqezi do të shënonin të parat në këtë takim. Në minutën e 19, 28-vjeçarja e lindur në Manhatan, Kristina Maksuti e dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar në avantazh Shqipërinë.

Në kohën shtesë të pjesës së parë do të shënoheshin dy gola të shpejtë. Secila skuadër do të gjente rrugën e rrjetës. Fillimisht ishte Shqipëria që dyfishoi rezultatin në minutën 45+1. Kësaj here ishte e përhershmja Megi Doçi.

Dy minuta më vonë, 21-vjeçarja Kaltrina Biqkaj shënon për Kosovën, duke ngushtuar rezultatin në 2-1. Goli i lojtares së Mitrovicës mbylli dhe pjesën e parë të takimit.

Në pjesën e dytë do të vinte dhe goli i tretë i Shqipërisë. Shtatë minuta nga përfundimi i kohës së rregullt të takimit shënon lojtarja e Vllaznisë së Shkodrës, Qendresa Krasniqi.

Një gol i veçantë për 27-vjeçaren që shënon në vendlindjen e saj, Prishtinë dhe kundër Kosovës, me të cilën është aktivizuar tre ndeshje më herët.

Me fitoren e arritur, Shqipëria shkon në kuotën e shtatë pikëve pas gjashtë ndeshjesh dhe mban vendin e katërt në renditje. Kosova qëndron në vendin e pestë me katër pikë.

Grupi F udhëhiqet nga Norvegjia me 13 pikë. Ndiqet nga Polonia me 11 pikë, Belgjika me 10 pikë dhe Armenia në vendin e fundit pa pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore