Sport

Kualifikueset e Kampionatit Evropian U-17, Shqipëria mëson kundërshtarët


Gjatë kësaj të mërkure në Nyon të Zvicrës është hedhur dhe shorti i Kampionatit Evropian 2022-2023 për grupmoshat U-17.

Kuqezinjtë janë shortuar në Grupin 7. Bashkë me ta do të jenë edhe Suedia, Kroacia dhe Uellsi. Kualifikueset do të zhvillohen në Kroaci në datat 20, 23 dhe 26 tetor 2022.

Në bazë të rregullores së UEFA-s dy skuadrat e renditura në vendin e parë të çdo grupi do të avancojnë në “Elite Round” së bashku me skuadrën e tretë më të mirë në të gjitha grupet në këto eliminatore.

Ervin Bulku, trajneri i kuqezinjëve U-17, foli për mediat pas përcaktimit të grupeve. Duke folur për grupin e Shqipërisë ai tha “U njoha me shortin e Europianit, patjetër që janë rivalë shumë të fortë, por të gjitha ekipet që marrin pjesë janë të një niveli shumë të lartë”.

“Do të vijojmë punën e nisur prej kohësh për t’u përgatitur sa më mirë për këtë turne dhe për të konsoliduar grupin e lojtarëve”.

“Detyra jonë fillimisht është të seleksionojmë lojtarët më të mirë shqiptarë të kësaj grup-moshe që luajnë kudo nëpër botë dhe të zbulojmë sa më shumë elementë të talentuar, duke i promovuar më pas në ekipet kombëtare të moshave”.

“Objektivi është që të përballemi si të barabartë me çdo kundërshtar dhe do të përpiqemi të marrim sa më shumë pikë”, përfundoi tekniku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore