Shqipëria

Ku mbeti rinia te programet politike?


“Një i ri mund të jetë politikë-bërës, por praktikisht nuk bën politika, pasi i merr gati nga dikush tjetër më i lartë në post”, kështu shprehet për Albanian Post (AP) politologu Shpend Gashi, ndërkohë që shqiptarët i ndajnë edhe dy javë nga zgjedhjet parlamentare 2021.

Në kuadër të tyre, u hartuan dhe listat përkatëse të secilës parti. Por sa u përfshinë të rinjtë në listat e kandidatëve për deputet?

“Përfshirja e famshme, si plotësim listash zgjedhore, me shpresën e vetme për t’u bërë deputet, apo edhe përfshirja në Këshilla Bashkiakë, janë thjesht mekanizma për të treguar se rinia është pjesë e gjithësisë”, shpjegon Gashi.

Politikë-bërja në Shqipëri nuk i targeton konkretisht problematikat e rinisë, por i përcakton përmes strukturave të tjera sociale, siç janë arsimi dhe punësimi.

“Kontrata e elektoratit”

Sipas një studimi të fondacionit gjerman në Shqipëri, Konrad Adenauer Stiftung (KAS), “një parti politike përpiqet për të influencuar në formimin e opinionit politik”.

Më herët, partitë politike kanë prezantuar programet e tyre nëpërmjet daljeve publike në media sociale.

Politologu i cilëson programet politike si “kontratë që i ofrohet elektoratit për të firmosur”.

Sipas tij, fakti që programet politike “nuk merren seriozisht”, tregon se ka edhe “mosinteresim” nga elektorati, të cilët “nuk kanë raport të afërt me leximin”.

Angazhimi i të rinjve në politikë-bërje e vendimmarrje shihet dhe te numri i lartë i tyre si kandidatë për deputetë në listat zgjedhore, por jo vetëm. Gjithashtu dhe në institucione këshillimore.

“Strukturat janë të mbushur me të rinj”, shpjegon Gashi për AP-në, “çka në dukje pasqyrohet një marrëdhënie e shëndetshme parti-rini”.

“Asnjë prej tre partive kryesore nuk ka një program të mirëfilltë politik, pra nuk kanë ofertë konkrete, thjesht gjuhë përçarëse”, thekson politologu, çka sipas tij, shfaqet te qytetarët.

Rinia, si pjesë e partisë

Mungesa e politikave për pjesëmarrjen aktive të të rinjve, në jetën sociale, politike dhe ekonomike, vihet re në programet politike të partive, të cilat i qasen rinisë përmes arsimit dhe programeve të punësimit.

“Në pamfletet elektorale, apo edhe në përmbajtjen teorike të shkruar, të programit, ka pika që e prekin rininë dhe çështjen rinore”, sqaron Gashi.

Partia Socialiste (PS), e cila është në krye të qeverisjes, gëzon mbështetjen më të madhe të elektoratit, në Shqipëri.

Kryeministri i Shqipërisë, njëherësh dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, në një dalje publike ka premtuar se “nga buxheti i shtetit, do të vendosen 10 milionë euro për universitetet publike, me qëllim që të nxiten bashkëpunimet me universitetet ndërkombëtare”.

Fuqizimi i të rinjve studentë ka qenë në fokus dhe nga partia e dytë më e madhe në Shqipëri, Partia Demokratike (PD).

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, gjatë prezantimit të programit politik për arsimin, është angazhuar se “do të financojmë nëntë nga 10 prej studentëve që vijnë nga familje me të ardhura nën 64 mijë lekë të rinj në muaj. Ata do të përfitojnë mbështetje të plotë përmes financimit 100% të tarifave për nivelin Bachelor dhe Master”.

Sa i përket partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, në programin e saj politik për arsimin shkruan se, “do të rrisë buxhetin për arsimin në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Nga të cilat 3% do t’i jepen arsimit para-universitar dhe arsimit të lartë, ndërsa 0.5% të tjera do të shkojnë për kërkimin shkencor”.

Eksodi i të rinjve

Politologu Gashi thekson se, “përfaqësimi dinjitoz i politikës tek të rinjtë pasqyrohet në eksodin e braktisjes së Shqipërisë”.

Sipas fondacionit Friedrich Ebert Stiftung (FES), në një studim të kryer në vitin 2019, “rreth 40 për qind e të rinjve shqiptarë dëshirojnë shumë të jetojnë larg Shqipërisë. Shumica e tyre për të jetuar përgjithmonë, ndërsa 20 për qind kanë një dëshirë të moderuar për të emigruar”.

Në përmbyllje për AP-në, profesori i Departamentit të Shkencave Politike thotë se, “politika në sytë e të rinjve po shikohet si punësim, të cilin ta garanton PARTIA!”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore