Shqipëria

Ku mbetën rojat bregdetare?


“Çdo stacion plazhi që do të miratohet nga komisioni i ngritur pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit (MTM) dhe do të lidhë kontratën me bashkinë përkatëse, ka si kusht të ketë dhe një rojë plazhi për parcelë”, thonë burime zyrtare pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri.

Pa plotësimin e këtij kushti, “sipas ligjit që u miratua vjet”, vijon burimi për Albanian Post, përveç plotësimit të procedurave të tjera, asnjë subjekti privat nuk i jepet leja për të vepruar.

“Është e detyrueshme që, gjatë gjithë kohës roja bregdetare, të jetë aty. Në momentin që lidhin kontratën me bashkinë, paguajnë faturat, taksat, e kanë të detyrueshme rojën e bregdetit. Në këtë moment, do të quhen zyrtarisht të licencuara për të vepruar”, potencon burimi.

Të njëjtën gjë konfirmoi për AP-në edhe menaxherja Silvana Aliu nga hoteli “Pinea”, në zonën bregdetare të Kavajës.

Ajo thotë se “u licencuam vetëm pasi kishim siguruar, me një certifikatë trajnimi të njohur nga MTM-ja, rojën bregdetare”.

Të pyetur nga AP-ja se si kontrollohen dhe sa të sigurta janë këto certifikata që marrin rojat bregdetare, burimet e MTM-së thanë se kjo Ministri njeh vetëm certifikatën e dhënë nga Federata e Rojave Bregdetare.

“Ka pasur raste që janë kthyer mbrapsht. Përkatësisht nga 415 aplikime për Durrësin, vetëm 39 janë kthyer mbrapsht”, shpjegon burimi.

Ndër të tjera, burimi pranë MTM-së, bën me dije se, deri më datë 5 qershor, ka pasur 2 mijë e 900 aplikime për stacione plazhi.

Në krahasim me vitin e kaluar, për të njëjtën periudhë, ka pasur një rritje prej 50% të aplikimeve.

Gjatë 2020-s, kanë aplikuar 1 mijë e 800 subjekte dhe po kaq u certifikuan roje bregdetare.

“Momentalisht jemi në fazën që po studiohen këto aplikime, nëse i plotësojnë apo jo kushtet”, thotë burimi.

Në momentin që subjektet nisin punën, atëherë dhe roja bregdetare duhet të jetë aty.

Por, nga një vëzhgim i kryer, evidentohet mungesë e rojave bregdetare në disa zona të plazheve në Shqipëri.

Detyrë për të kontrolluar veprimtarinë e tyre, sipas MTM-së, është “e bashkisë dhe e policisë”.

Më tej, burimi nga MTM-ja njoftoi se do të rihapet dhe një datë tjetër për aplikim.

“Sipas kërkesave që do të bëhen dhe nga bashkitë, do të ketë një datë tjetër rihapje, duke qenë se kërkesat dhe parcelat e vëna në dispozicion janë shumë më tepër se kërkesat e ardhura”.

Në përfundim, të gjitha kërkesat që do të paraqiten pranë MTM-së, nëse nuk e kanë të certifikuar rojën bregdetare, nuk do të lejohen të kryejnë veprimtarinë e tyre.

“Çadrat quhen të ligjshme, në momentin që lidhin kontratën dhe brenda kësaj kontrate është kushti i rojës bregdetare”, përfundon burimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore