Sport

Kthimi i tifozëve në stadiume, situata në top pesë ligat


Pandemia e Covid-19, ka larguar tifozët nga shkallët e stadiumeve. Sezoni aktual nuk ka parë akoma tifozë dhe siç duket deri në fundin e tij, nuk do të ketë tifozë në stadiume, të paktën në shumicën e ligave.

Situata në ligat më të forta

Spanjë

Finalja e Kupës së Mbretit mes Athletic Bilbao-s dhe Real Sociedad-it, u luajt me dyer të mbyllura. Edhe finalja tjetër në Kupë, mes Bilbao-s dhe Barcelona-s, pritet të jetë pa tifozë.

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas-i dha shpresë se në javën e tretë të prillit mund të ketë një pjesë të tifozëve në stadium.

“Shpresojmë që në javën e tretë të prillit të fillojmë të kemi një përqindje në stadiume. Të gjithë shpresojmë që pas pashkëve të jemi në gjendje të caktojmë një datë”, tha Tebas-i.

Angli

Mbretëria e Bashkuar ka bërë përparim të madh me programin e saj të vaksinimit për Covid-19, sesa shtetet e tjera në Europë. Mbi 31 milionë britanikë tashmë kanë marrë vaksinën dhe kufizimet janë lehtësuar.

Ndërkohë që janë bërë plane për hapjen e pjesëshme të stadiumeve. Më 18 prill, gjysmëfinalja e Kupës FA, midis Leicester-it dhe Southampton-it, në “Wembley” do të ketë 4 mijë tifozë.

Më 25 prill, në finalen e Kupës Carabao, midis Manchester City-t dhe Tottenham-it, në “Wembley” pritet të ketë 8 mijë tifozë në stadium.

Më 15 maj, po në “Wembley” do të luhet finalja e Kupës FA, e cila do të ketë 21 mijë tifozë. Ndërsa, duke filluar nga 17 maji, të gjithë stadiumet në Angli do lejohen të mirëpresin tifozët, në kapacitet sa gjysma e tyre dhe një maksimum deri në 10 mijë njerëz.

Nga 23 qeshori, kufizimet pritet të hiqen totalisht, por deri atëherë do shikohet ecuria e infektimeve.

Gjermani, Francë dhe Itali

Te tre vendet pritet të jenë pa tifozë deri në fundin e këtij sezoni. Deri tani asnjë nga Bundesliga, Liga e Parë dhe Seria A nuk ka plane për hapjen e pjesëshme të stadiumeve. Franca është në bllokim deri në fund të prillit, ndërsa Italia ishte nën bllokim këtë javë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore