Lajme

“Kthimi i banditizmit” në industrinë ruse të makinave


Eldar Gadzhiev u tremb kur dëgjoi zhurmën e motorit të Skoda-s së tij një ditë prilli.

Ai zotëron një flotë prej katër makinash, të cilat i merr me qira si taksi në Moskë, dhe e dinte që ishte një kohë e tmerrshme për një avari.

Çmimet për pjesët e këmbimit dolën jashtë kontrollit që kur Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës dy muaj më parë.

“E kuptova që isha në një situatë të keqe. Mendova: riparimet do të kushtojnë po aq sa makina”, ka treguar ai.

Përfaqësitë ishin thuajse të padobishme.

Dyqani i pjesëve të këmbimit i tha se lista e pritjes ishte e gjatë, kohë që ai mezi priste të riparonte automjetin e tij.

Kur e bëri shqetësimin e tij publik, mori dhjetëra telefonata, disa nga tregtarë të përafërt që i ofruan takime ose i dhanë premtime për të marrë pjesët që i nevojiteshin.

“Janë spekulime. Nuk ka më pjesë këmbimi. Pra, çmimet janë shumë të larta, aq sa për ta hedhur makinën, ose duhet menduar a është kjo e paligjshme”, ka thënë ai.

Dyshonte se shumë nga pjesët që i ishin ofruar, ishin vjedhur. “Është rikthimi i banditizmit”, ka shtuar.

Pak sektorë të ekonomisë ruse po ndiejnë tendosjen e izolimit pothuajse total të vendit më shumë se sa industria e automobilave, ku pjesët për automjetet e reja dhe të përdorura janë në mungesë.

Gadzhiev ka treguar se ka paguar tetëfishin e tarifës së vjetër për riparimet e tij. Kurse të tjerë kanë thënë se çmimet janë dhjetëfishuar.

Aleksei Atapov, pronar i një firme riparimi makinash, është një prej tyre.

“Jemi në një situatë mjaft të trishtuar për sa i përket riparimit dhe mirëmbajtjes së makinave në Moskë. Magazinat qendrore u mbyllën në fund të shkurtit, madje as pjesët me porosi që erdhën nuk na u dhanë. Ata i kthyen paratë dhe i morën të gjitha pjesët jashtë shtetit”, ka treguar ai.

“Për shkak të rritjeve të tilla të normës, ata thjesht ndaluan të gjitha aktivitetet. Magazinat qendrore janë gjithçka kemi. Dy javë pas 24 shkurtit, spekulimet për pjesët e makinave arritën kulmin. Diçka që kushtonte 900 rubla arriti në shtatë mijë rubla”, ka dalluar.

Teksa qeveria ruse ka promovuar politikat e saj të zëvendësimit të importeve, të cilat i lejojnë importuesit të shpërfillin ndalimet për dërgimin e pjesëve rezervë në Rusi, plani mezi ka filluar të zbatohet dhe oferta nuk ka gjasa të arrijë kërkesën.

Të paktën kështu kanë parashikuar analistët.

Wildberries, shitës rus me pakicë në internet, ka shtuar pjesë makinash, duke përfshirë motorët, sistemet e karburantit, transmisionet, pjesët e shasisë dhe të tjera.

Por, për momentin, aktorët e tregut thonë se rezervat kanë arritur drejt fundit.

“Të gjithë zëvendësuesit mbaruan shumë shpejt”, ka treguar Atapov.

Mungesat po prekin edhe makinat e reja.

Avtovaz, prodhuesi më i madh i makinave në Rusi, ka njoftuar një javë shtesë pushimi për punëtorët, për shkak të mungesës së pjesëve, veçanërisht gjysmëpërçuesve.

Në Rusi, shitjet e makinave kanë rënë me 83.5 për qind në maj dhe çmimet e makinave të reja janë rritur mesatarisht me 50 për qind.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore