Lajme

Kryetari i ri i Mitrovicës kërkon të fillohet pagesa e rrymës edhe nga qytetarët në Veri – “kërkova kyçje në sistem”


Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Eden Atiq

Pjesa Veriore e Kosovës, katër komunat me shumicë serbe, nuk paguajnë energji elektrike qysh nga paslufta, por kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Eden Atiq, ka njoftuar përmes llogarisë së tij të Facebook-ut se ka kërkuar nga KOSTT-i dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë që t’i kyc në sistem dhe të fillojë pagesa.

“Sot ju drejtova KOSTT dhe ZRRE me kërkesën për të na kyçur dhe filluar pagesën e rrymës elektrike në institucionet publike të Komunës sonë”, ka shkruar Atiq në Facebook.

“Gjithashtu kërkova që të na njoftojnë mbi borxhin që i duhet paguar institucioneve të Republikës së Kosovës për rrymën e papaguar nga komuna që drejtoj”, përfundon statusi i shkurtër i Atiq në Facebook.

Kerkesa e Eden Atiq.

Rreth 30 mijë banorë në Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, vazhdojnë të mos paguajnë për energjie elektrike derisa për ta paguan Qeveria e Kosovës.

Madje, kriza energjetike që ka qenë në Kosovë asnjëherë nuk i preki katër komunat veriore.

Kjo pasi që borxhet për energjinë elektrike në këto komuna mbulohen nga operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT), gjegjësisht nga Qeveria e Kosovës.

Mos faturimi i konsumatorëve të energjisë elektrike në Veri të Kosovës nga ana e KEDS-it nuk është problemi i vetëm me mos qasjen e operatorit të Kosovës në atë pjesë.

Një tjetër, shumë më i rëndësishëm, është mos kontrollimi i nën-stacionit të Vallaçit që gjendet në veri, nga Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT).

Nënstacioni elektrik në Vallaç është një prej pikave e cila i furnizon me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe hidrocentralin e Ujmanit (Gazivodës), si dhe i takon rrjetit të shpërndarjes së Kosovës edhe sipas Marrëveshjes së Brukselit për energjinë të vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015.

Me këtë marrëveshje është synuar që të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës.

Ndër vite, borxhi i veriut për energji ishte paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 ishte marrë vendim që të paguhet nga Qeveria e Kosovës.

Llogaritet se fatura e përgjithshme e konsumatorëve për energji në këtë pjesë shkon deri në 12 milionë euro në vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore