Lajme

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Egjiptit: Njohja e Kosovës s’është aktivizuar asnjëherë


Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Egjiptit, Hanafi El Gebali

“Njohja e Kosovës nga Egjipti nuk është aktivizuar asnjëherë”.

Kështu ka thënë kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Egjiptit, Hanafi El Gebali, në një bisedë me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, raporton mediumi serb Kosovo Online.

Gebali theksoi se njohja u bë në kushte të veçanta historike.

“Pas revolucionit të popullit egjiptian, situata ka ndryshuar dhe kjo njohje nuk është aktivizuar. Ne po i kushtojmë vëmendje të madhe marrëdhënieve me Serbinë”, tha Gebali.

Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, potencoi se Egjipti ende i përmbahet asaj që është rënë dakord disa vite më parë.

“Ata e konsiderojnë këtë çështje një rast të njohjes së ngrirë”, pohoi Daçiç, i cili kryeson një delegacion parlamentar të Serbisë, i cili është në një vizitë dyditore në Egjipt.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç

Sipas tij, dy vendet kanë një vazhdimësi afatgjatë të marrëdhënieve të mira politike prej 113 vitesh dhe se ka hapësirë ​​për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik.

Ndryshe autoritetet në Beograd kanë pretenduar se kanë arritur të sigurojnë tërheqjen e njohjeve të Kosovës nga më shumë se 15 shtete.

Në anën tjetër, këto pretendime në vazhdimësi janë hedhur poshtë nga autoritetet e Kosovës, duke i konsideruar këto deklarata propagandë të Serbisë.

Në muajin shtator të këtij viti, Nemanja Staroviç, Sekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë kishte deklaruar se nëse Kosova fillon fushatë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, Serbia “do t’i përgjigjet në mënyrë adekuate”.

Ndër të tjera ai pati thënë se Serbia është në komunikim të vazhdueshëm me një numër vendesh që janë gati të tërheqin njohjen e shtetit të Kosovës.

Deri me tash, bazuar edhe në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, shteti i Kosovës është i njohur nga 117 shtete.

Njohja e fundit e pavarësisë së Kosovës ka ardhur nga shteti i Izraelit me 1 shkurt të këtij viti.

Me 4 shtator të këtij viti ka përfunduar edhe moratoriumi i cili rrjedh nga Marrëveshja e Uashingtonit, me të cilën u ndalua secili aktivitet të fushatës për mospranimin apo heqjen e njohjeve për shtetin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore