Lajme

Kryetari i Bujanocit i kërkon Kurtit, rishikim të vendimit për hyrje-daljet në Kosovë


Nagip Arifi - Kryetar i Bujanocit, Albin Kurti - Kryeministër i Kosovës

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, ka kërkuar rishikimin e vendimit të qeverisë për hyrje-daljet në territorin e Republikës së Kosovës.

Këtë kërkesë, Arifi, e ka bërë përmes një letre drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ndërsa ka shtuar se kriteret rreth vaksinimit anti COVID-19, po i dëmtojnë qytetarët e komunës së tij, pasi që shumë prej këtyre të fundit, lëvizin pothuajse çdo ditë drejt, Kosovës.

Letra e kryetarit të Bujanocit, Nagip Arifi, drejtuar, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Obligimi për vaksinim me dozën e tretë, apo edhe ata që janë vaksinuar me dozën e dytë dhe testi PCR po e pamundëson lëvizjen e qytetarëve tanë”, ka shkruar Arifi në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

“Në këtë rast, përveç qytetarëve të rëndomtë, po dëmtohen edhe studentët dhe bizneset tona që pothuajse lëvizin çdo ditë në drejtim të Kosovës”, ka shtuar ai.

Për fund, i pari i komunës së Bujanocit është shprehur optimist rreth gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët, por që gjithmonë duke u kujdesur në rend të parë për shëndetin e qytetarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore