Lajme

Kryetarët e komunave veriore takohen me ambasadorin britanik në Kosovë


Ilir Peci, Kryetar i Zveçanit

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci ka deklaruar se është takuar me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

Takimi është duke ndodhur tani, ka njoftuar kryetari i Zveçanit, Ilir Peci për Albanian Post.

“Jemi në takim me ambasadorin britanik”, ka treguar kryetari Peci, por nuk dihet nëse në këtë takim janë të pranishëm të katërt kryetarët e komunave veriore.

Dy kryetarët e dy komunave veriore, Zveçanit dhe Zubin Potokut, të cilët u zgjodhën nga radhët e PDK-së, paraditen e së hënës kishin takim edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Hovenier u deklarua pas takimit që pati me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën ka diskutuar për gjendjen e sigurisë në komunat veriore të Kosovës, situatën e ka përshkruar si “thellësisht shqetësuese”.

“Qeveria e ShBA-së, por edhe ato të vendeve të QUINT-it, e kanë potencuar se sa e rëndësishme është që zyrtarët të hyjnë në institucionet shtetërore pa përdorimin e forcës. Ky mbetet akoma qëndrimi ynë. Edhe me kryetarët e diskutuam se si mund ta kryejnë detyrën e tyre dhe t’u shërbejnë qytetarëve, sidomos pa pasur nevojë për forcë që të hyjnë në institucione”, ka thënë ai.

Në takim me presidenten ai tha se ka shprehur shqetësimet e tij për situatën që është aktualisht në Veri.

“Sapo u takova me presidenten Osmani dhe diskutuam për situatën në veri dhe shqetësimet tona të përbashkëta për dhunën dhe eskalimin”.

“Me ambasadorin Szunyog i kemi ftuar edhe katër kryetarët e komunave veriore, vetëm dy na janë bashkuar, ai i Zveçanit dhe Zubin Potokut. Edhe me ta diskutuam për shqetësimet lidhur me situatën”.

Të hënën ka vazhduar tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it gjendet para objekteve të komunave në këtë zonë të banuar kryesisht me serbë etnikë.

Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – është duke u përpjekur për të negociuar me KFOR-in dhe po kërkon që kryetarët e rinj të mos hyjnë në objektet komunale. Gjithashtu, kërkesë e saj është edhe që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitet elitare policare nga veriu.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetarët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore