Lajme

Kryetarët e komunave veriore pritet të dalin në punë – “Mund të ketë tensione”, “policia të jetë vigjilente”


Kryetarët e katër komunave veriore pritet të paraqiten në punë në objektet komunale këtë të hëne për t’iu përgjigjur qytetarëve, por ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, thotë për Albanian Post se “mund të ketë tensione”.

“Situata në veri është e tensionuar, është e mundur që të ketë tensione. Është e mundur që disa persona të dirigjuar nga Lista Serbe mund t’i bllokojnë rrugët”, tha Qalaj.

Për deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, “kësaj i kontribuojnë edhe reagimet e ndërkombëtare në raport me qeverinë e Kosovës”.

Megjithatë, ai thotë se organet e rendit duhet të jenë në gjendje gatishmërie për t’u ballafaquar me çfarëdo situate.

“Policia është institucion ekzekutiv dhe vepron sipas urdhrit të Qeverisë. Në aspektin taktit ka pasur lëshime më 26 maj”, shtoi ai.

Ndërsa shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Kosovë të dielën kanë paralajmëruar Qeverinë që mos të futen “me forcë në ndërtesat komunale”.

“Në të njëjtën kohë, ne i paralajmërojmë fuqishëm të gjitha palët kundër kërcënimeve ose veprimeve të tjera që mund të ndikojnë në një mjedis të sigurt, duke përfshirë lirinë e lëvizjes, dhe që mund të nxisin tensionet ose të nxisin konfliktin”, thuhet në reagim.

Në anën tjetër, ish-komandat i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, theksoi për AP se nuk pret që të përdoret forca nga policia, meqë sipas tij, policia, KFOR-i dhe EULEX-i kanë pas kohë që t’i marrin të gjitha masat që të mos lejojnë të ketë ndonjë bllokadë.

“Policia e Kosovës ka qenë në nivel të detyrës, por mendoj që duhet të jetë vigjilente dhe shumë e kujdesshme”, pohoi ai.

Gjenerali Kastrati, pret që të ketë reagim qytetar, veçse shprehet i bindur që nuk do të përsëriten skenat e 26 majit kur serbët lokalë u konfrontuan me organet e rendit dhe si pasojë pesë policë ishin lënduar.

“Mund të ketë protesta paqësore, ajo është e drejta e tyre. Nuk pres që të eskalojë situata”, shprehet i bindur ai.

Ngjashëm si vendet e QUINT-it, edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të de-pershkallëzojë situatën në veri të vendit dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues, porse të angazhohet në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Fola me Përfaqësuesin e Lartë, Josep Borrell, në lidhje me Kosovën. Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja tani, si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të de-përshkallëzojë dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues”.

Stoltenberg: Kosova të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues në veri

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se i kupton shqetësimet e aleatëve, sa i përket gjendjes së krijuar në Veri të Kosovës pas asistencës së Policisë për t’i futur në zyrat e tyre kryetarët e Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, por se shton që ka qenë një obligim kushtetues që duhej zbatuar.

“Ne jemi të vetëdijshëm dhe i kuptojmë shqetësimet e ngritura nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Por, çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj; do të ishte mos përmbushje e obligimeve dhe detyrimeve të kryetarëve të rinj ndaj qytetarëve të Republikës; dhe, do të pamundësonte ofrimin e shërbimeve bazike komunale për qytetarë”, shkroi Kurti në Facebook.

Në komunikatën e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, u tha se ShBA-të “dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”.

“Veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës”.

Ndërsa, Bashkimi Evropian përmes një komunikate për media u tha se “BE-ja dënon ashpër përleshjet me policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.

Çka ndodhi?

Në mesditën e së premtes të 27 majit në katër Komunat me Shumicë Serbe në Veri të Kosovës, u dëgjuan sirena alarmi si paralajmërime për serbët lokalë të cilët më pas bllokuan qasjen për në objektet komunale të Komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Arsyeja e lëshimit të alarmit dhe rrjedhimisht tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat e Kuvendeve Komunale ka për qëllim pengimin e kryetarëve të rinj të cilët kanë tentuar të hyjnë në hapësirat e komunave.

Albanian Post raportoi mbi aksionin e Qeverisë së Kosovës, e cila është vendosur që të marrë objektet komunale nga strukturat paralele në atë mënyrë që kryetarët e rinj ta vazhdojnë mandatin në ndërtesat e komunave.

Sipas të njëjtave burime, qeveria paraprakisht i ka njoftuar edhe ambasadat e shteteve të QUINT-it (ShBA, Britani e Madhe, Gjermani, Francë, Itali) në Kosovë, por nuk ka gjetur pajtimin e tyre për këtë veprim.

Megjithatë përkundër tubimit të serbëve lokalë në ndërtesat komunave repsektive në Veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai Leposaviqit, Lulzim Hetemi, kishin arritur të futen në ndërtesat komunale.

Në të tri komunat Policia e Kosovës ka arritur të “thyej” turmën e protestuesve serbë duke e liruar edhe objektet e këtyre Komunave.

Policia e Kosovës u detyrua të përdorë gaz lotsjellës e shok bomba për të shpartalluar turmën e serbëve të cilët ishin mbledhur përpara ndërtesave komunale.

Teksa pesë policë kishin mbetur të lënduar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore