Lajme

Kryesimi i Francës në BE, ka fokus Ballkanin Perëndimor


Ballkani Perëndimor.

Nga 1 janari i 2022, Franca ka marrë kryesimin e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian që do të zgjasë deri në fund të muajit qershor.

Ndërsa, janë bërë të ditur një varg prioritetesh që ka caktuar Franca si tema para se t’ia dorëzojë Çekisë kryesimin e radhës për pjesën e dytë.

Franca ka paralajmëruar se kujdes i shtuar do t’i kushtohet Ballkanit Perëndimor, përveç temave që kanë të bëjnë me forcimin e autonomisë strategjike të BE-së, rritjes së kapaciteteve mbrojtëse, reformën e zonës së Shengenit, zbatimin e qëllimeve për mbrojtjen e mjedisit, energjinë e tema tjera.

Diplomatët kanë specifikuar dy probleme kryesore, njëra për krizën aktuale politike në Bosnje e Hercegovinë dhe tjetra raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilat po zhvillohet dialogu në Bruksel i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, raporton Radio Evropa e Lirë.

Bashkimi Evropian.

Gjithashtu, është paralajmëruar edhe një konferencë kushtuar Ballkanit Perëndimore.

Këtë e kishte paralajmëruar edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Ndërsa, “mbetet të shihet në vitin e ardhshëm se çfarë do të bëjë Bashkimi Evropian, me mbështetjen e angazhimit të shtuar nga Ëashington-i, do të bëjnë për të nxjerrur Ballkanin Perëndimor nga ngërçi politik, veçanërisht nga tensionet kërcënuese në Bosnje dhe Hercegovinë dhe bllokadat në bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës”, kanë thënë disa burime diplomatike brenda Brukselit për të përditshmen serbe “Danas”.

Bllokada theksohet të ketë të bëjë me theks të veçantë me “autoritetet e Prishtinës” dhe mos-vullnetin për të “implementuar marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel”.

“Kosova ka deklaruar pavarësinë e saj më 2008, dhe deri më tani ende nuk është e qartë se çfarë mund të bëhet për të shkuar tutje kur vie puna te autoritetet dhe politikanët shqiptarë në Prishtinë, dhe vendet perëndimore që e kanë njohur duhet të japin përgjigje ndaj kësaj pyetje”, thotë një diplomat për gazetën serbe.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Qëllim i dialogut thuhet të jetë arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore