Kryeshefi i Trepçës dhe Qeveria Kurti të painteresuar për hallet e mbi 700 minatorëve
Foto: Albanian Post.
Altina Marmullaku
15.07.2024 16:47Marrëveshja e arritur mes Qeverisë së Kosovës dhe minatorëve të Trepçës kishte krijuar shpresë tek këta të fundit që s’do të përballen më me probleme financiare dhe ekzekutim të pagave.
Ndonëse, kjo marrëveshje u arrit në muajin nëntor të njëjtit vazhdimisht kanë pasur problem me paga.
Përveç vitit të kaluar i cili i përcolli minatorët me greva të njëpasnjëshme edhe ky vit minatorët po i gjen pothuajse çdo muaj në grevë.
Aktualisht në grevë janë mbi 700 minatorë, e zgjidhje s’po bën pushteti por as kryeshefi ekzekutiv i Trepçës i emëruar nga kjo Qeveri, Bashkim Kurti.
“Kryeshefi i painteresuar për problemet e minatorëve”
Përfaqësuesi i sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Destan Kërleshi, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post deklaroi se kanë pasur një takim me bordin, por që s’ka dërguar në rezultate konkrete.
“Rreth 720 minatorë janë në grevë. Kemi pasur një takim me bordin mbikëqyrës të premten dhe kanë kërkuar kohë deri sa të bëjnë një zgjedhje”.
Ndonëse, kanë kërkuar vazhdimisht që të takohen me kryeshefin Bashkim Kurti, nga ana e tij s’është shprehur interesim që të takohet me minatorët.
“Minatorët po kërkojnë që të përcaktohet koha se kur do të ekzekutohet paga. Por, kryeshefi ekzekutiv s’po gjen kohë dhe nuk ka interesim për t’u takuar me minatorët dhe të ua sqaroj gjendjen. Kjo injorancë e kryeshefit po i irriton minatorët”, thotë Kërleshi.
“Asnjë premtim për minatorët s’u mbajt nga qeverisja Kurti”
Ish menaxheri i kësaj ndërmarrje, Ferat Shala, gjatë një bisede për Albanian Post sqaron se janë një sërë arsyesh përse minatorët vazhdimisht kanë këto probleme – të gjitha ndërlidhen me qeverisjen Kurti dhe premtimet që janë bërë për të investuar në këtë ndërmarrje.
“Gjendja e minatorëve është e rëndë. Kjo vjen si rezultat i menaxhimit të skajshëm jo profesional, si rezultat i keqmenaxhimit institucional, si rezultat i politikave qeveritar ku ka vendosur militant partiak në sektorin më vital të industrisë së Kosovës”, thotë Shala për Albanian Post.
Sipas tij, asnjë nga premtimet që është dhënë për të investuar në këtë ndërmarrje s’është mbajtur.
“Në esencë Qeveria Kurti dhe kryeministri patën premtuar shumë investime, patën premtuar zhvillim, por në fund të mandatit Qeveria Kurti e ka sjell Trepçën në dhjetëra miliona euro borxhe. Fatkeqësisht duhet të themi se kjo Qeveri e ka shkatërruar “Trepçën”, në kuptimin profesional dhe inxhinierik, e ka shkatërruar dhe e ka humbur tregun vendor dhe ndërkombëtar dhe po e nxjerr jashtë funksionit Trepçën”.
Ndër të tjera, pohon se minatorët më shumë kanë qenë në greva sesa në punë gjatë këtij viti.
“Ka probleme sepse Qeveria me menaxhimin e skajshëm të saj, sot nuk ka ardhur në minimum çështja të prodhimit, pra nuk prodhim. Ndërsa, në tërësinë e vitit kalendarik më shumë kemi pasur greva për paga, sesa punë pastaj s’kemi as të hyra”.
Albanian Post ka drejtuar pyetje edhe tek ministria e Ekonomisë rreth ekzekutimit të pagave të minatorëve, por që deri në publikimin e këtij artikulli s’ka pranuar përgjigje.
Më 12 janar, Bashkim Kurti ishte emëruar në krye të “Trepçës” në Mitrovicë.
Edhe në muajin qershor, minatorët kishin hyrë në grevë për shkak të mosekzekutimit të pagave për muajin maj.
Në muajin nëntor, minatorët kishin qëndruar në grevë për 10 ditë kështu duke kërkuar plotësimin e tri kërkesave përmirësimin e kushteve, shkarkimin e kryeshefit të Trepcës, Enis Abdurrahmani dhe pagat t’u dalin me kohë – pas kësaj greve tejet të gjatë ishte arritur marrëveshje me Qeverinë, por që e njëjta vazhdimisht nuk po zbatohet.
Mos përmirësimi i kushteve të punëtorëve të Trepçës, ka dërguar në greva të njëpasnjëshme.
Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.
Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.
Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.
Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.