Lajme

Kryeshefi i KEK-ut lëshon komisionin ku ishte i ftuar të dëshmoi, s’i pëlqen pyetja


Komisioni Hetimor Parlamentar

Të premten ka dështuar raportimi para Komisionit Hetimor Parlamentar i Kosovës në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Kjo pasi që Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, i cili ishte ftuar për intervistim e ka lëshuar mbledhjen e këtij komisionit.

Arsyeja e kësaj përplasjeje kishte të bënte me refuzimin që kryeshefi i KEK-ut kishte bërë ndaj pyetjes së kryetarit të këtij komisioni, Hajdar Beqa, i cili kishte kërkuar informacione nga Krasniqi për mos fillimin e remontit të bllokut A5 në Termocentralin “Kosova A”.

“Kjo pyetje është jashtë mandatit të komisionit dhe unë refuzoj të përgjigjem”, ka shtuar fillimisht Krasniqi.

“Nuk është pyetje në mandatin e këtij komisioni, kryeshefi ka për detyrë të përgjigjet për periudhën deri në maj 2022”, i ka dalë në mbrojtje të Krasniqit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi.

Debati më pastaj ka eskaluar, kur deputeti nga Lidhja Demokratike dhe deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj e Hajdar Beqa, kanë akuzuar kolegun e tyre nga LVV, Halil Thaçin, për uzurpim të një prone.

“Ti je uzurpator. Me letra. I kemi raportet, ti je uzurpator. Ti nuk është dashtë me qenë në Komision”, i është drejtuar Zemaj, Thaçit.

Debati është degraduar tërësisht kur deputeti Beqa i ka thënë deputetit Thaçi se ai është “kumbar me serbët”.

“Ti je uzurpator. Ti je hajdut. Le mos ta ndi zonin. Biznesin me serbë”, i ka thënë Beqa, Thaçit.

Në anën tjetër këto deklarata, Thaçi i ka konsideruar si shpifje.

Pas këtij debati i ftuari për intervistim, Nagip Krasniqi, ka lëshuar sallën.

Mu për këtë arsye, kryetari i Komisionit Beqa, ka kërkuar që Krasniqi të sillet me polici në Komision, nëse i njëjti refuzon të intervistohet.

“Ne eskaluam pak situatën, kryeshefi aktual nuk u përgjigj në pyetjet andaj kërkoj nga administrata që të lëshoj një urdhër koordinim me Policinë që të vjen në Komision, kjo është kërkesa ime”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore