Sport

Kryeqyteti është i kuq


Partizani ka fituar derbin numër 159 përballë Tiranës, të luajtur të enjten në “Elbasan Arena”. Golin e fitores e shënoi Erlado Çinari, i rikthyer pas mungesës së gjatë, për shkak të pezullimit nga FIFA.

Demat e kuq kanë arritur të marrin fitoren në Derbin e Shqipërisë. Fitore e cila i rendit në vendin e dytë të Superligës. Djemtë e Ilir Dajës janë në ndjekje të Vllaznisë, në luftën për titullin kampion.

Tirana e Nevil Dedes renditet e pesta në Superligë, me gjashtë pikë më pak se Partizani dhe 15 pikë më pak se Vllaznia e vendit të parë.

Ndeshja nisi me aksione të rrezikshme nga të dy ekipet, që në minutat e para u afruan golit. Pavrësisht se nuk arritën të shënonin në pjesën e parë.

Rastin më të artë për të shënuar e pati Taulant Seferi në 36’ të pjesës së parë. Pasi i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes së Partizanit, doli përballë Alban Hoxhës, të cilin e dribloi, por në një pozicion pak diagonal, nuk mundi ta dërgonte topin në rrjet.

Pjesa e parë ishte shumë e luftuar, me ndërhyrje të ashpra nga lojtarët e të dy ekipeve. Arbitri Enena Jorgji nxori tre kartona të verdhë për Partizanin dhe dy për Tiranën.

Lojtarët e ndëshkuar për Partizanin ishin Jurgen Bardhi në 29’, William Cordeiro në 35’ dhe Theophilus Solomon-i në 37’. Për Tiranën u ndëshkuan Idriz Batha në 29’ dhe Erjon Hoxhallari në 44’.

Me rifillimin e pjesës së dytë, arbitri Jorgji do të bëhëj protagonist në këtë pjesë. Sigurisht që ndeshja ishte e ashpër dhe në këtë pjesë. Nga një të kuq dhe të verdhë për çdo ekip në këtë pjesë të dytë.

Në 50’ Bardhi shkaktoi një faull ndaj portierit Visar Bekaj. Me Jorgjin qe ishte aty pranë, nuk mund të falej kartoni i verdhë, pasi e pa qartë faullin. Karton i dytë për Bardhin dhe automatikisht karton i kuq. Partizani ngeli me 10 lojtarë në fushë.

Pesë minuta më vonë Batha shkakton faull ndaj Jasir Asanit. Kapiteni bardheblu ndëshkohet gjithashtu me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë Tiranën me 10 lojtarë në fushë.

Në 68’ tekniku Dede kryen dy zëvendësime, Grent Halili i la vendin Enes Kukës dhe Seferi Richard Danso-s.

Në të njëjtën minutë dhe tekniku i demave, Daja, kryen dy zëvendësime, Cordeiro-n për Stenio Junoir-in dhe Solomon-in për Tedi Carën.

Në 78’ Daja do të fuste në lojë, të rikthyerin Çinari. Që në 14 javët e para të kampionatit nuk mund të lunate pas pezullimit nga FIFA, mbi çështjen e transferimit te Alaves-i, kohë më parë.

24-vjeçari nuk mund të bënte rikthim më të mirë në fushën e lojës. Pas katër minutave në fushë, arrin të dërgoi topin në rrjet dhe pse ndodhej i vetëm mes katër mbrojtësve të Tiranës.

Me gjithë futjen në fushë të Jurgen Vrapit në 82’ dhe Derrick Sasraku-t në 87’, Tirana nuk e ndryshoi dot rezultatin e ndeshjes.

Katër minuta nga përfundimi i kohës së rregullt Junior-i dhe Danso-ni ndëshkohen të dy me të verdhë.

Minutat në vazhdim nuk sollën ndryshime në rezultat, me Partizanin që shpërtheu në fest pas fishkëllimës së trefishtë të Jorgjit.

Për Tiranën kjo ishte humbja e dytë nën drejtimin e Dedes, nga 13 ndeshje. Në ndeshjet e tjera numërojnë tetë barazime dhe tre fitore.

Partizani e kishte ndeshjen e 16 nën drejtimin e Dajës. Nëntë fitore, katër barazime dhe tre humbje.

Në deklaratat e teknikëve pas ndeshjes:

Daja:

“Përveç se ishte ndeshja e radhës dhe na kënaqin 3 pikët, por derbi ka një bonus psikologjik të madh. Është një ndeshje që duhet fituar. Loja në minutat e fundit po shkonte drejt barazimit”.

“Po të shikosh ndeshjen ishim më superiorë. Ky derbi është i fituar edhe me lojë edhe me rezultat”.

Dede:

“Çdo njeri e sheh ndeshjen dhe futbollit sipas këndvështrimit të tij. E falëm një ndeshjen, për shumë arsye. Gabuam në disa momente. Në pjesën më të madhe të lojës kontrolluam ndeshjen”.

“Gjithçka ishte nën kontroll dhe skuadra funksionoi në ekuilibër. Humbja në derbi djeg shumë dhe të le një shije jo të mirë. Mund të administronim më mirë. Gabimet sollën ndëshkimin tone”.

Pas javës së 15, renditja e Superiores kryesohet nga Vllaznia me 35 pikë, Partizani në vendin e dytë me 26 pikë, Teuta në vend të tretë me 26 pikë, Laçi në vend të katërt me 21 pikë, Tirana në vend të pestë me 20 pikë, Kukësi në vend të gjashtë me 20 pikë, Kastrioti në vend të shtatë me 17 pikë, Bylisi në vend të tetë me 12 pikë, Apolonia në vend të nëntë me 12 pikë dhe Skënderbeu në vend të fundit me 11 pikë./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore