Lajme

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale për Albanian Post: “Në aksionin ‘Pika’ u arrestuan 50 zyrtarë”


Blerim Isufaj, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës

“50 persona janë arrestuar në total gjatë ditës së sotme”, ka konfirmuar Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj për Albanian Post.

“Këta persona janë arrestuar në aksionin që u bë në dy pikat kufitare në Qafë Prush dhe Qafë Morinë”, ka specifikuar Isufaj.

“edhe dy zyrtarët doganorë janë në mes të këtyre të arrestuarve”, ka thënë më tej Isufaj, duke shtuar se informata e tjera do t’i shpalosin në konferencën për medie të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Kjo konferencë është paralajmëruar se do të mbahet në ora 15:00, për të dhënë më shumë detaje rreth aksionit të koduar “Pika” e i cili u zhvillua në rajonin e Gjakovës dhe të Prizrenit.

“Pjesëmarrës në këtë konferencë do të jenë përfaqësues nga Prokurori i Shtetit, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Arrestimin e dy zyrtarëve doganor në këtë aksion e ka konfirmuar Dogana e Kosovës përmes një njoftimi për medie.

Nën udhëheqjen e Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Agjencinë Kosovar i Inteligjencës dhe prokurorisë Speciale të Kosovës.

Veprat për të cilat po dyshohen zyrtarët e arrestuar janë “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Në kuadër të këtij veprimeve hetimore dhe operative nga hetuesit e IPK-së pritet që fillimisht të shoqërohen e më pas edhe arrestohen dhjetëra zyrtarë policorë të dyshuar në këtë rast (kryesisht zyrtarë të policisë kufitare) si dhe disa zyrtarë doganorë”, ka njoftuar Inspektorati policor i Kosovës.

Sipas zëdhënësit për medie në IPK, Arbër Beka, në një prononcim për Albanian Post, operacioni policor ka nisur “në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale”.

“Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë”, ka deklaruar Beka.

Për aksionin – që po vazhdon – të policisë ka reaguar në Facebook edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Të gjithë ata që tentojnë apo e njollosin punën e ndershme dhe profesionale të zyrtarëve tjerë policorë, nuk kanë vend në Policinë e Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

“Policia e Kosovës nuk do të jetë më asnjëherë vendi ku thyhet ligji e bëhet korrupsioni”.

“Qëllimi ynë kryesor është të garantojmë integritet dhe profesionalizëm brenda të gjitha agjencive që drejtojmë. Në kuadër të kësaj, kushdo që cenon integritetin e institucionit, padyshim do të përballet me drejtësinë sipas ligjeve në fuqi”, ka përfunduar ministri.

Foto na aksioni i IPK-së: Fotoja është marrë nga Agjencia e Lajmeve Ekonomia Online

Haxhiu: Përshëndetës aksionin, mbështetja e qeverisë e parezerëvë

Aksionin e ka përshëndetur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo, duke shkruar në Facebook, ka thënë se më parë, kur ata nuk ishin në qeveri, ishte vetë ekzekutivi që ndalonte aksione të tilla.

“Në të kaluarën institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë nuk i janë lënë duart e lira për veprim. Në shumë raste ekzekutivi ka qenë pengesa kryesore në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, shkruan Haxhiu.

“Sot, kemi ende sfida mirëpo kemi vullnetin e hekurt për ta bërë vendin e jetueshëm për qytetarët. Përshëndes aksionin e përbashkët të institucioneve për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mbështetja e qeverisë tonë në raste të tilla është e parezervë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore