Shqipëria

Kryeministrja britanike dhe pikëprerjet me Shqipërinë


Takimi i parë i kryeministres së re britanike, Liz Truss, me Shqipërinë dhe shqiptarët na kthen pas në prill të vitit 2016, kur në një editorial për “The Sunday Times”, ajo tregonte se si ambiciet e Qeverisë britanike nuk mund të jenë si ato të Shqipërisë.

“A duam të shijojmë një dekadë të artë, ku të bëjmë ndryshimet që na duhen për të pasur sukses? Apo të përballemi me të paktën 10 vite stanjacion, të zhytur në negociata komplekse?”, pyeste fillimisht zyrtarja britanike asokohe.

Ndërsa sot, kryetarja e re e Konservatorëve, pritet të përballet me çështjen e “emigrantëve shqiptarë” pasi të betohet si kryeministre britanike.

Truss ka qenë më pak e përpiktë në propozimet e politikës së saj të imigracionit sesa ish-kancelari Rishi Sunak.

Ashtu si rivali i saj, Truss synon të zerojë hyrjen klandestine në Britani.

Kryeministrja e re britanike ishte më e interesuar në sigurimin e kufijve duke ndërhyrë në regjimin ekzistues.

Truss në mënyrë të paqartë iu referua gjatë fushatës së saj “shtytjes për reformat e GJEDNJ-së në mënyrë që ajo të funksionojë për Britaninë”.

Ajo premtoi gjithashtu një zgjerim afatshkurtër të skemës sezonale bujqësore, e cila lejon punëtorët e huaj të vijnë në Mbretërinë e Bashkuar për punë bujqësore verore.

Kreu i Konservatorëve u zotua që do të rrisë forcën kufitare të vijës së parë me 20 për qind dhe do të dyfishojë nivelet e personelit detar të forcës kufitare.

Albanian foreign minister says reports | The Independent

Si Sunak ashtu edhe Truss u shfaqën të përkushtuar ndaj idesë së kontraktimit të emigrantëve të jashtëligjshëm.

Kjo, duke u zotuar se do ta bëjnë marrëveshjen e azilit që të funksionojë dhe të eksplorojnë partneritete të mëtejshme.

Po nëse kthehemi në 2016-ën?

Sekretarja e shtetit për mjedisin, ushqimin dhe çështjet rurale theksonte se “modeli i Shqipërisë” do të godiste tregtinë fitimprurëse britanike të shërbimeve me afro 100 miliardë paund.

“Shqipëria jo vetëm që është një nga vendet më të varfra në Evropë dhe aspak si Britania, por marrëveshja e saj mori gjashtë vjet për t’u negociuar. Ajo nuk ka akses të plotë në një treg të vetëm të tregtisë së lirë prej 500 milion njerëz – që do të thotë më pak investime, më pak vende pune dhe çmime më të larta – dhe këtë marrëveshje e ka vetëm sepse dëshiron të anëtarësohet në BE”, shtoi Truss.

Si për ironi të fatit, Britania do të firmoste më 11 mars të vitit të kaluar pikërisht me Shqipërinë marrëveshjen e parë tregtare me një shtet evropian jashtë BE-së.

Ministrat nënshkruanin një marrëveshje tregtare prej 158 milionë paundësh për të lejuar biznesin britanik që të tregtonte në mënyrë të pavarur jashtë bllokut.

Sipas marrëveshjes së ratifikuar, ajo lehtësoi tarifat për importet dhe eksportet kryesore, duke përfshirë mineralet, karburantet, energjinë elektrike, tekstile dhe këpucë.

Marrëveshja ishte pjesë e premtimit të sekretares (tanimë) të tregtisë ndërkombëtare Liz Truss.

Kjo, për të siguruar marrëveshje tregtare me ekonomi të mëdha dhe me rritje të shpejtë jashtë Evropës për të rifilluar ekonominë.

Para se të emërohej në një nga postet më të rëndësishme – kreu i Ministrisë së Jashtme – Truss arriti të lidhë marrëveshje tregtare dypalëshe me më shumë se 60 vende.

UK finalises £158m Brexit deal with Albania, first European state outside EU - UK (British) Albanians Network

Takimi i fundit i kryeministres së re britanike me Shqipërinë daton më 13 dhjetor të vitit të kaluar.

Asokohe, Truss, në cilësinë e kryediplomates do të takohej me homologët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Mes tyre, Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

“Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar për Ballkanin Perëndimor dhe për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë dhe demokracisë në rajon”, nënvizonte zyrtarja e lartë britanike.

Sipas saj, rritja e lidhjeve ekonomike me rajonin është një mënyrë jetike për të krijuar vende pune dhe të ardhura, për të siguruar stabilitet dhe për të mbështetur lirinë.

Me një konfirmim prej 81 mijë e 326 votash nga anëtarësia e Konservatorëve, Truss do të udhëheqë vendin deri në vitin 2024

“Do të qeveris si konservatore”, tha ajo menjëherë pas shpalljes. Dhe siç shkruante e përjavshmja “New Statesman”, kjo do të jetë qeveria më e djathtë që do të mund të kujtojmë.

Liz Truss nuk është thjesht kandidatja e vazhdimësisë: ajo është një Boris Johnson e ngarkuar me turbo, shumë më ekstremiste dhe ideologjike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore