Lajme

Kryeministri spanjoll shmang Kosovën, viziton 5 shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor


Pedro Sanchez

Përveç Prishtinës, Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, për katër ditë rresht do të zhvillojë vizita zyrtare në pesë kryeqytetet e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Më saktësisht Sanchez, më 29, 30, 31 korrik dhe 1 gusht do të vizitojë Serbinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Gjatë samitit të liderëve të Bashkimit Evropian, Sanchez kishte deklaruar se ai do të punojë për të riaktivizuar procesin e zgjerimit për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ndryshe kryeministri spanjoll, përveç tjerash kishte njoftuar se Spanja ka ndryshuar qëndrim për sa i përket procesit të liberalizimit të vizave për kosovarët duke thënë se shteti i tij është i gatshëm ta pranojë që Bashkimi Evropian ta jep dritën e gjelbër Kosovës për këtë çështje, edhe pse Madridi zyrtar nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Spanja ka një qëndrim konstruktiv dhe ne jemi të hapur për miratimin që do të mundësonte liberalizimin e vizave për kosovarët”, kishte thënë Sanchez, në konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Evropian, të cilës i parapriu të enjten në mëngjes një takim në mes të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Spanja si pjesë e BE-së është njëra ndër pesë shtetet mos njohëse të pavarësisë së Kosovës së bashku me Qipron, Sllovakinë, Rumaninë dhe Greqinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore