Lajme

Kryeministri sllovak jep dorëheqjen mes mosmarrëveshjeve për blerjen e Sputnik


Kryeministri i Sllovakisë, Igor Matović, dha dorëheqjen nga posti i tij.  Matović, dha dorëheqjen për të zgjidhur krizën politike të vendit.

Kryeministri sllovak pohoi se ka dakordësuar të largohet si kryeministër me kusht që të ndërrojë postet me ministrin e Financave, Eduard Heger.

Ai dha dorëheqjen për shkak të mosmarrëveshjeve në qeverinë e koalicionit për blerjen e vaksinave ruse Sputnik V.

Partnerët e koalicionit qeveritar  pranuan kushtet duke njoftuar se koalicioni i tyre do të vijojë.

Qeveria sllovake konfirmoi se i ka paraqitur dorëheqjen e kryeministrit sllovak presidentit Zuzana Čaputová.

Ish zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave, Eduard Heger, u ngarkua me detyrën e formimit të një qeverie të re.

Sipas njoftimit të qeverisë, emërimi i Heger-it është miratuar nga partnerët e koalicionit qeverisës në  Sllovaki..

Më 28 mars, kryeministri sllovak njoftoi se do të tërhiqej, pas skandalit politik të shkaktuar nga marrëveshja e fshehtë për të blerë vaksinën ruse Sputnik V.

Të paktën gjashtë anëtarë të kabinetit kanë dhënë dorëheqjen nga postet e tyre.

Kriza politike shpërtheu kur u zbulua një marrëveshje e fshehtë që kishte siguruar Sllovakia për të marrë 2 milion doza të vaksinës ruse, Sputnik V.

Tensionet  midis partnerëve e të koalicionit shpërthyen kur kryeministri sllovak bëri një marrëveshje për të blerë Sputnik V pa dijeninë e partnerëve të koalicionit.

Sllovakia është një vend anëtar i Bashkimit Evropian (BE).  Sllovakia ishte vendi i dytë anëtar, pas Hungarisë, i cili bleu vaksinën nga Rusia.EMA nuk e ka autorizuar ende vaksinën ruse.

Deri më tani, shteti sllovak ka numëruar rreth 9 mijë e 500  fatalitete nga COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore