Lajme

Kryeministri malazez po synon të formojë kabinet të ri sipas parimit “8+8+2”


Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç

“Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç po punon që shumë shpejtë ta formojë kabinetin e ri qeveritar, pavarësisht mesazheve të qarta të Frontit Demokratik se aleanca politike nuk do ta mbështesë konceptin e rikonstruktimit, e as atë si njeri të parë të qeverisë”, shkruan gazeta malazeze Standard.

Siç bëhet e ditur, Krivokapiç ka pasur disa takime me liderët e partive, ku në mes të tjerëve ishte edhe Partia Boshnjake.

Sipas gazetës Standard, Krivokapiç e ka njoftuar kryetarin e PB-së, se ai “ka për qëllim të rikonstruktojë kabinitetin sipas parimit 8+8+2”.

Ndërkaq zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka thënë se qeveria po punon si më parë.

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç

“Nuk po largohem nga një zgjidhje e mundshme. Ne jemi këtu për qytetarët, nëse jemi këtu për shkak të tyre, duhet të kemi një shumicë që miraton ligje”, ka deklaruar Abazoviç.

“Kushdo që mund të arrijë atë shumicë, le ta bëjë. Nëse Demokratët dhe Fronti Demokratik mund të gjejnë zëvendësim të URA-s (Lëvizja që drejton Abazoviç), le ta bëjnë. Sidoqoftë, ata as nuk kanë ide e as kontakte, dhe kjo është problem”.

Ndërkaq, Abazoviç shtoi edhe se “nuk kam ambicie për tu bërë kryeministër, por kam ambicie që ta nxjerr Malin e Zi nga kjo situatë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore