Lajme

Kryeministri irlandez takohet me Osmanin përsërit mbështetjen për Kosovën në rrugëtimin evropian


Kryeministri i Irlandës, Micheál Martin dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryeministri i Irlandës, Micheál Martin, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim konstruktiv me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Bruksel ku është mbajtur samiti i Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, Martin shkroi se Irlanda e mbështetë Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

“Takim i ngrohtë dhe konstruktiv me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Përsërita mbështetjen e Irlandës për Kosovën në rrugëtimin e tyre si pjesë e familjes më të madhe evropiane”, deklaroi kryeministri irlandez.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se ka kërkuar përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në BE.

“Në veçanti, kërkova përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ku Irlanda tani ka udhëheqjen. Me anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, përfitojnë më së shumti qytetarët e Kosovës duke pasur në gjirin e saj një shtet demokratik që promovon të drejtat e njeriut”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar për media pas takimit të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Kemi dëgjuar shumë deklarata përkrahëse për Kosovën, për perspektivën evropiane të saj, për liberalizimin e vizave, e treta për rreshtimin e plotë të Kosovës me BE-në sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë”, ka Osmani.

Megjithatë, ajo, përtej deklaratave, ka kërkuar “hapa konkret”.

“Duhet të shkojmë tash nga fjalët në veprime. Na duhen hapa konkretë. Duhet të merret vendimi për liberalizim të vizave”.

Gjithsesi, presidentja shtoi se “këto kanë qenë deklaratat më pozitive që i kemi dëgjuar deri më tani për liberalizimin e vizave. Edhe shtetet që kanë qenë hezituese, shumë prej tyre kanë treguar mbështetje sot”.

Me “na leni të hyjmë brenda”, ka përfunduar fjalimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Samitin e Bashkimit Evropian, derisa gjatë gjithë fjalimit u ka kërkuar anëtarëve të BE-së që të reflektojnë e t’ia liberalizojnë vizat Kosovës, pasi “thjesht ka shkuar shumë larg”.

Prandaj, Osmani ka folur, me shpresën se “këtë herë na dëgjoni”, duke iu kërkuar vëmendje liderëve të BE-së.

Samiti i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor është përmbyllur me një foto familjare, si për të simbolizuar unitetin mes udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe krerëve të ftuar të Ballkanit Perëndimor.

Pas realizimit të fotografisë, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor i janë drejtuar konferencës për shtyp.

Gjatë ditës, liderët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian do të takohen për të diskutuar rreth zgjerimit të unionit. Përveç vendimit tashmë të sigurt për dhënien e statusit kandidat dy vendeve, Ukrainës dhe Moldavisë, liderët do të trajtojnë edhe me situatën në Ballkanin Perëndimor, ku Kosova shpreson në dritën jeshile për liberalizimin e vizave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore