Lajme

Kryeministri i ri australian niset drejt Tokyo-s, pasi i emërtoi lidhjet me Kinën “të vështira”


Anthony Albanese do të shkojë në Tokyo, për të marrë pjesë në takimin e liderëve të Quad-it, disa orë pasi u betua si kryeministri i ri australian që paralajmëroi se marrëdhëniet me Kinën do të mbeten “të vështira”.

Të shtunën e 21 majit, Partia Laburiste e mundi qeverinë e partisë së udhëhequr nga Scott Morrison.

Megjithëse ende nuk dihet nëse do të arrijë shumicën prej 76 vendesh të nevojshme për të qeverisur më vete.

Albanese, në konferencën e parë për shtyp si kryeministër, ka thënë se ka marrë një garanci nga deputetë të partive të pavarura dhe të vogla për të siguruar qeverisjen pa marrë parasysh rezultatin.

Sipas 59-vjeçarit, është siguruar që Australia të mund të marrë pjesë në takimet dypalëshe me presidentin amerikan Joe Biden, kryeministrin indian Narendra Modi dhe kryeministrin japonez, Fumio Kishida.

“Takimet që do të kemi, do të jenë shumë të rëndësishme për t’i dërguar një mesazh botës se ka një qeveri të re në Australi”, ka pohuar ai.

“Është një qeveri që përfaqëson një ndryshim, për sa i përket mënyrës sesi e trajtojmë botën për çështje si ndryshimet klimatike, por edhe një vazhdimësi mbi respektin për demokracinë dhe mënyrën se si vlerësojmë miqësitë dhe aleancat tona të vjetra”, ka vijuar.

Për atë, marrëdhënia e Australisë me Kinën, e cila është përkeqësuar vitet e fundit, “do të mbetet e vështirë”.

Por ai ka sinjalizuar se qeveria e tij do të marrë një qasje më pak agresive për të ndjekur interesin kombëtar të Australisë.

“Është Kina ajo që ka ndryshuar, jo Australia. Kështu, Australia duhet të mbrojë gjithmonë vlerat dhe do ta bëjmë këtë në qeverinë që do të drejtoj”, ka thënë ai.

Në historinë e Australisë, është hera e katërt që laburistët fitojnë dhe hera e parë që fitorja ka qenë më pak se e theksuar.

Rezultati vjen si pasojë e një lëvizjeje larg nga të dyja partitë kryesore drejt kandidatëve të pavarur dhe të Gjelbërve Australianë, të cilët kanë bërë fushatë për objektiva më të fortë për të reduktuar ngrohjen globale.

Albanese e mbajti konferencën e tij për shtyp të hënën e 23 majit jo vetëm para flamurit australian, por edhe flamujve aborigjenë dhe të ishujve të ngushticës Torres.

Çka përbënte një ndryshim të vogël që sinjalizoi angazhimin e qeverisë për të kërkuar ndryshime kushtetuese në përputhje me rekomandimet e paraqitura në një samit kombëtar të popujve aborigjenë dhe të ishujve të Torres në vitin 2017.

Kërkimi i një referendumi për të ndryshuar kushtetutën australiane që të ruajtur një zë indigjen në parlament ka qenë angazhimi i parë që Albanese bëri në fjalimin e tij të fitores.

Për ministren e ardhshme të Punëve për Çështjet Indigjene, reforma do të “ndryshojë fytyrën e vendit” dhe do ta ndihmojë Australinë “të rritet” si një komb.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore