Lajme

Kryeministri i Pakistanit e etiketon rivalin Imran Khan si “gënjeshtarin më të madh në tokë”


Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif ka akuzuar ish-kryeministrin Imran Khan si “gënjeshtarin më të madh në tokë”.

Sipas tij, ai ka injektuar helm në shoqëri për të “polarizuar në mënyrë të rrezikshme elektoratin” pasi u rrëzua nga pushteti në fillim të këtij viti.

70-vjeçari ka folur pa kursim për “dëmin” që Khan i kishte bërë vendit si brenda vendit, ashtu edhe në punët e jashtme.

Aktualisht, Pakistani është në mes të një krize ekonomike të paprecedentë, pasi po përballet me inflacionin në rritje, borxhin e lartë, rezervat valutore në rënie dhe më shumë se 30 miliardë dollarë dëme.

E gjitha vjen pasi vendi u godit nga përmbytjet më të këqija në historinë e tij në gusht, një fatkeqësi e shkaktuar nga kriza klimatike që la 1 mijë e 600 të vdekur dhe miliona pa strehë dhe ujë të pastër.

Sharif e ka quajtur Khan-in “gënjeshtar dhe mashtrues”, politikat e të cilit e kishin lënë ekonominë në rrënoja.

Ai e akuzoi atë se i ka drejtuar punët e vendit për t’iu përshtatur agjendës së tij personale “në një mënyrë që mund të përshkruhet vetëm si politikani më i papërvojë, egoist, i papjekur në historinë e vendit”.

Khan, i cili ende ruan një popullaritet të madh në mesin e një numri të madh votuesish, u hoq nga pushteti në prill të këtij viti pas një votimi mosbesimi që bëri që shumë nga aleatët e tij në parlament të kthehen kundër tij.

Ai u zbulua se kishte shkelur kushtetutën në një përpjekje për të ndalur votën përpara dhe gjithashtu kërcënoi se do të vendoste ligjin ushtarak në vend që t’ia dorëzonte pushtetin koalicionit të opozitës.

Sakaq, pretendimet e tij janë se votimi ishte një “komplot i huaj” kundër tij nga SHBA-të dhe se mund ta vërtetonte këtë paçka mohimeve publike nga SHBA-të.

Javën e kaluar çështja erdhi sërish në vëmendje pasi regjistrimet e bisedave private joformale të mbajtura nga Khan në zyrën e tij kur ishte kryeministër u zbuluan në internet.

Rrjedhjet dyshohet se e kanë kapur atë teksa ka diskutuar se si të sajonte një komplot për një kërcënim të huaj.

Tani lider i opozitës, Khan ka nxitur mbështetësit anembanë vendit duke shpërndarë teori konspirative dhe duke akuzuar qeverinë si të korruptuar.

Narrativa populiste e tij ka rezultuar efektive.

Në qarqet politike dhe diplomatike, rënia e Khan nga pushteti është e lidhur gjerësisht me një shpërbërje në marrëdhëniet e tij me drejtuesit e lartë ushtarakë.

Që kur u rrëzua, Khan i ka kthyer mbështetësit e tij kundër shefit të ushtrisë, Qamar Javed Bajwa.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore