Lajme

Kryeministri australian shpreson t’i kërkojë Xi-së të heqë kufizimet tregtare


Kryeministri australian Anthony Albanese do t’i kërkojë presidentit kinez Xi Jinping të heqë kufizimet tregtare për miliarda dollarë eksporte.

E gjitha nëse të dy udhëheqësit takohen për herë të parë këtë muaj.

Albanese ka treguar se do t’i kërkojë Xi të heqë tarifat “kundër-produktive” dhe masat e tjera tregtare nëse takohen gjatë një grupi tubimesh të profilit të lartë.

“Ato nuk janë në interesat e Australisë, të industrisë së verës, industrisë së mishit dhe industrive të tjera ku janë vendosur sanksione. Por nuk është gjithashtu në interesin e Kinës”, ka thënë Albanese.

Sakaq, komentet e tij vijnë mes pritjeve që udhëheqësi australian mund të takohet me Xi në ditët në vijim, gjatë samitit të G20 ose samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Bangkok.

Xi nuk pritet të marrë pjesë në Samitin e Azisë Lindore në Kamboxhia, ku Albanese do të takohet me liderët rajonalë përpara se të udhëtojë në Indonezi dhe Tajlandë javën e ardhshme.

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi në fillim të kësaj jave i ka thënë homologes së tij australiane, Penny Wong, se lidhjet e vendeve të tyre kishin hasur së fundmi “ndryshime pozitive”.

Kurse në shtator, ambasadori i Kinës në Australi ka thënë se të dy udhëheqësit potencialisht mund të takohen pa kushte pasi fitorja e Partisë Laburiste në zgjedhje kishte hapur derën për “një rivendosje të mundshme të marrëdhënieve”.

Teksa Kina është partneri më i madh tregtar i Australisë, marrëdhëniet midis qarqeve janë përkeqësuar vitet e fundit mes një sërë mosmarrëveshjesh lidhur me pandeminë, sigurinë kombëtare dhe çështjet e të drejtave të njeriut.

Pekini ka kufizuar miliarda dollarë eksporte australiane, duke përfshirë viçin, lëndën drusore, sheqerin dhe verën, që nga viti 2020.

Asokohe, ish-kryeministri Scott Morrison bëri thirrje për një hetim të pavarur ndërkombëtar mbi origjinën e COVID-19.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore