Lajme

“Kryeministër amator”, Çitaku: Marrëveshja pa njohje s’është as finale e as gjithëpërfshirëse


Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti pasi Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, në një prononcim për gazetarin e “The Economist” tha se njohja reciproke është qëllimi, por aktualisht nuk është e mundur.

Çitaku përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, konsideroi se një marrëveshje eventuale për normalizim të marrëdhënimeve mes Kosovës dhe Serbinë në bazë të propozimit franko-gjerman pa njohjen e ndërsjellë “nuk është as finale e as gjithëpërfshirëse”.

Në kontekstin aktual gjeopolitik pas agresionit rus në Ukrainë, sipas Çitakut, është e papranueshme që “në vend të marrëveshjes për njohje, të kemi një status quo të re, pa njohje dhe me asociacion” sepse për numrin dy të PDK-së, aktualisht situata është shumë e “favorshme për Kosovën në 15 vitet e fundit”.

Prandaj, ajo kryeministrin Kurti e vlerësoi si një politikan “amator e të padijshëm” duke kërkuar sqarim nga ai për “katandisjen” e procesit të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe pse aleatët e Kosovës, pra SHBA-të “po thonë tani që nuk është koha për njohje reciproke?”.

Qeveria e Kosovës, vazhdimisht është kritikuar për ftohje të marrëdhenieve me SHBA-të, mirëpo të njëjtit gjithmonë kanë deklaruar se “marrëdhëniet e Kosovës me SHBA” vazhdojnë të jenë të mira.

Ofensiva diplomatike e janarit – Çfarë duhet të arrihet deri me 24 shkurt?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore