Lajme

“Kryeministër a e kishe gabim atëherë apo tash?”, Vlora Çitaku pyet Albin Kurtin


Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së

A ju kujtohet fraza “Isa-Hasha, Esat Pasha?”, citon Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, një nga sloganet e Lëvizjes Vetëvendosje të vitit 2013-2015 kur kritikonte qeverinë e kohës për nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë për energjinë.

“Pa ndryshuar asnjë pikë dhe asnjë presje, kryenegociatori i Republikës së Kosovës sot prezantoi marrëveshjen për implementimin e marrëveshjes së dakorduar vite më parë”, tha Çitaku në një prononcim për Albanian Post.

“Për të njëjtën marrëveshje, eksponentë të qeverive paraprake, janë quajtur tradhtarë”, rikujtoi nënkryetarja e PDK-së.

“Tani pyetja ime për kryeministrin është: a e ke pas gabim atëherë a tash?”.

“Është mirë të na përgjigjet kryeministri a e kemi pas gabim ne, apo e ka pas gabim ai”, ka shtuar Çitaku, “kur na shpallte tradhtarë për të njëjtat marrëveshje”.

Këtë përgjigje, ajo thotë se kryeministri aktual i Kosovës nëse nuk e vlerëson të nevojshme t’i përgjigjet opozitës, që e negocioi këtë marrëveshje, duhet ta bëjë për mbështetësit e tij.

“Këtë sqarim Kurti ua ka borxh edhe votuesve dhe mbështetësve të tij”.

“Çka është e qartë nga kjo, është që e vetmja gjë konsistente nga qeveria Kurti është mungesa e konsistencës”, vazhdoi më tej ajo.

“Dhe them të drejtën për ne si Parti Demokratike, dialogu ka filluar të degradoj në vend që të flasim për një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila në thelb ka njohjen reciproke, ne po flasim për stikersa dhe po trumbetojmë marrëveshje të cilat janë dakorduar vite më parë”.

“Marrëveshja e njëjtë”, ri-përsëriti Çitaku, “por është nënshkruar vetëm plani i zbatimit”, përfundoi ajo.

Madje, Kryeministri Albin Kurti arritjen e kësaj ujdie tani e quan “lajm shumë të mirë”.

Sipas tij miratimi i një udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energji elektrike në Veri është rezultat i punës së palodhshme dhe qëndrimeve parimore bazuar në ligjet dhe kushtetutshmërinë e Kosovës.

“Ky është rezultati i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Kosovës, në bazë të rregullave tona ka ndodhur dakordimi më në fund për zbatim të udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë së shpenzuar në veri të lumit ibër”, ka thënë Kurti.

Marrëveshja e nënshkruar sot në mes të Kosovës dhe Serbisë në sektorin e energjisë thotë se Zyra e Rregullatorit të Energjisë do t’i lëshojë një licencë furnizimi Elektrosever në pajtueshmëri me licencën e furnizimit, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

“Brenda shtatë ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSST-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët”, thuhet në pikën e dytë të marrëveshjes së arritur.

Në anën tjetër Elektrosever, bazuar në marrëveshjen në fjalë është detyruar që brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës, gjegjësisht marrëveshjen kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, marrëveshjen mbi detyrimin e bilancit me KOSTT-in, marrëveshjen e kyçjes me KEDS-in dhe marrëveshjen komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të shpërndarjes (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe, sipas paragrafit 1 të artikullit 5 të Marëveshjes së 2013-s.

“Brenda 15 ditëve nga nënshkrimi i marrëveshjeve të nevojshme teknike me KOSTT-in, Elektroseveri do të marrë një kod identifikimi të energjisë (EIC) për të kryer aktivitetet e parashikuara nga furnizimi me licensë”, thuhet në pikën tjetër të marrëveshjes.

Njëra ndër pikat e marrëveshjes për energji thotë se në përputhje me pikën 14 të Marrëveshjes energjetike të vitit 2015, në afat prej 30 ditësh nga dhënia e licencës për furnizim, KEDS dhe KOSTT (nën lehtësimin e BE-së) do të kenë qasje në nënstacionin e Vallaq si dhe në infrastrukturat tjera të transmisionit dhe distribucionit.

Marrëveshja më tej detyron KOSTT dhe KEDS që brenda 45 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, pas konsultimit me Elektrosever, t’i dorëzojnë ZRRE-së planin e investimeve, koston e kërkuar të mirëmbajtjes dhe humbjet e rrjetit, bazuar në shqyrtimin e plotë të infrastrukturës ekzistuese.

“Brenda 21 ditëve pas paraqitjes së planit të investimit dhe shpenzimeve të mirëmbajtjes së kërkuar për humbjet e rrjetit, ZRRE do të miratojë në parim planet, kostot dhe humbjet”, detyron pika e 7 e marrëveshjes.

Ujdia për energji e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, këtë të martë të 21 qershorit, njofton se në rast të mospërputhjes me dispozitat e këtyre konkluzioneve të rëna dakord pas 100 ditësh nga lëshimi i licencës së furnizimit, ZRRE mund të vendosë të pezullojë ose të tërheqë licencën e furnizimit të dhënë për Eletrosever, në varësi të konsultimit ndërmjet palëve, të lehtësuar nga BE-je, gjatë një periudhe maksimale prej 15 ditësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore