Shqipëria

Kryemadhi: Nuk bëjmë koalicion pa u pranuar prioritetet tona


“Pesë prioritetet e LSI-së janë të panegociueshme, kushdo qoftë aleati në zgjedhje. Nuk bëjmë asnjë kompromis në kurriz të rinisë shqiptare”.

Kjo ka qenë deklarata e kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e ftuar në emisionin Real Story, në televizionin News 24.

Kryemadhi, në prezantimin e programit të partisë që kryeson, ka theksuar rëndësinë e implementimit të prioriteteve të LSI-së, në rast fitoreje të zgjedhjeve. Pika më kryesore, sipas saj, është taksimi i shqiptarëve.

Një skemë rimbursimi për shpenzimet, do të jetë zgjidhja e taksimit sipas saj. “Për çdo faturë të paguar, shqiptarët do të marrin 5% mbrapsht”, tha ajo. “Do të arrihet edhe ulja e informalitetit nëpërmjet kësaj skeme”.

“Shqiptarët paguajnë dhe ata që marrin fitimet nuk i deklarojnë në shtet. Në raportet e FMN-së, 50% e GDP-së shqiptare del informale. Kjo përkon me 7.5 miliardë euro. Është evazion i pastër fiskal”, akuzoi Kryemadhi.

Mënyra e rimbursimit sipas programit të LSI-së, do të jetë nëpërmjet një karte ose aplikacioni telefonik. “Në përllogaritjet tona, çdo familje do të përftojë një rrogë shtesë brenda një viti. Rreth 150 dollarë do të shtohen në xhepat e qytetarëve”, theksoi Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së nuk ka ngurruar të akuzojë sërish oligarkët, si pjesë e informalitetit në vend. “Oligarkët janë pjesë e kësaj skeme. Ata i deklarojnë bizneset e tyre në humbje dhe shpëtojnë nga taksat”, cilësoi ajo.

Për këtë çështje, Kryemadhi sqaroi se lufta që Qeveria e Shqipërisë i ka shpallur informalitetit, është kthyer thjeshtë në gjobvënie.

Përsa i programit, ajo ka cilësuar faktin se “ky është programi më i thjeshtë dhe më i kuptueshëm për qytetarët”. Mbetet për t’u parë nëse LSI-ja do të garojë në koalicion në zgjedhjet e 25 prillit apo e vetme./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore